Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Reçaku mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë, duke theksuar se Masakra e 15 janarit 1999 dëshmoi para drejtësisë ndërkombëtare se krimet në Kosovë ishin pjesë e politikës shtetërore të dhunës së Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare.
Në fjalën e tij në Akademinë Përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kurti rikujtoi se kjo ngjarje ishte në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Edhe pse procesi nuk u përmbyll për shkak të vdekjes së Millosheviqit, ai theksoi se faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të dokumentuara dhe të pamohueshme në drejtësinë ndërkombëtare.
Kurti vuri në dukje se muajin e kaluar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 personave për krime lufte lidhur me Masakrën e Reçakut, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë. Sipas tij, kjo aktakuzë dëshmon se krimi ka autorë dhe se e vërteta nuk vjetërohet, pavarësisht se të dyshuarit strehohen në Serbi.
Në fjalimin e tij, Kurti nderoi edhe figurën e ambasadorit William Walker për rolin e tij në nxjerrjen në dritë të së vërtetës për Reçakun, si dhe për kontributin e bashkësisë ndërkombëtare që çoi drejt ndërhyrjes së NATO-s. Ai përmendi gjithashtu themelimin e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës dhe nisjen e procesit për zhvillimin e kompleksit memorial të Reçakut, me qëllim ruajtjen e kujtesës kolektive për brezat e ardhshëm.

“Sot, duke nderuar martirët e Reçakut, Republika e Kosovës riafirmon angazhimin e përhershëm për të vërtetën, për drejtësinë dhe për paqe të qëndrueshme”, tha Kurti, duke përfunduar me homazhe për 45 të vrarët dhe për të gjithë dëshmorët e kombit që ranë për lirinë e Kosovës.

