20 Janar 2026 23:41

BDI: Ali Ahmeti do të marrë pjesë në takimin e liderëve, thirrje për unitet dhe bashkim politik

Këshilli i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka zhvilluar një takim në të cilin janë analizuar gjerësisht zhvillimet aktuale politike në vend, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi me subjektet e tjera politike, si dhe rëndësia e takimit të paralajmëruar të liderëve politikë.

Gjatë diskutimeve, fokusi ka qenë i vendosur në strategjitë për adresimin e sfidave dhe shfrytëzimin e mundësive politike në kontekstin aktual. Me miratim unanim, Këshilli i Përgjithshëm vendosi që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të liderëve politikë.

Sipas BDI-së, ky vendim konfirmon angazhimin e partisë si një forcë politike serioze, e përgjegjshme dhe shtetformuese, e përkushtuar ndaj promovimit të dialogut politik dhe ndërtimit të konsensusit rreth çështjeve kyçe politike dhe ekonomike të vendit. Në kuadër të kompetencave statutore, Ahmeti do të ketë të drejtën ekskluzive të propozojë dhe të trajtojë tema strategjike dhe jetike, përfshirë perspektivën evropiane, stabilitetin politik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Njëkohësisht, Këshilli i Përgjithshëm i BDI-së u bëri thirrje të gjitha partive politike që ndajnë një vizion të përafërt me atë të kësaj partie, si dhe figurave me kapacitete intelektuale, sociale dhe profesionale, që t’i bashkohen Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të kontribuojnë në formacionin e saj politik.

Sipas BDI-së, kjo ftesë synon forcimin e unitetit politik dhe konsolidimin e platformës së partisë, duke theksuar se ajo mbetet e hapur për të integruar të gjithë potencialin intelektual dhe politik në vend. Objektivi kryesor, thuhet më tej, është avancimi i politikave dhe vizionit që u shërbejnë interesave shtetërore dhe të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim.

Ky është postimi i plotë i zedhenëses së BDI-së Arta Bilalli Zendeli