Ish-zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë, Jan Eliasson, ka reaguar përmes një shkrimi publik lidhur me zhvillimet e fundit globale, duke theksuar rëndësinë jetike të së drejtës ndërkombëtare për paqen, sigurinë dhe mbrojtjen e demokracive të vogla.
Eliasson rikujton se e drejta ndërkombëtare nuk lindi nga teori abstrakte, por nga pasojat shkatërrimtare të dy luftërave botërore, Holokaustit dhe vuajtjeve masive njerëzore. Sipas tij, përvoja historike e detyroi botën të krijojë mekanizma si Karta e OKB-së, Konventat e Gjenevës dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e vitit 1948, të cilat edhe sot përbëjnë themelin e rendit ndërkombëtar.
Në analizën e tij, Eliasson thekson se parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare janë të qarta: barazia mes shteteve, respektimi i kufijve, përdorimi i forcës vetëm në vetëmbrojtje dhe mbrojtja e civilëve edhe në kohë lufte. Ai nënvizon se për vende si Suedia, këto parime nuk janë koncepte teorike, por garanci reale për pavarësinë dhe demokracinë.
Duke folur për situatën aktuale globale, Eliasson shpreh shqetësim për, siç e quan ai, erozionin e rendit ligjor ndërkombëtar, ku fuqitë e mëdha po veprojnë gjithnjë e më shumë mbi logjikën e sferave të interesit. Ai përmend luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ndërhyrjet e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, pretendimet për Grenlandën dhe qëndrimin e Kinës ndaj Tajvanit si shembuj të dobësimit të parimit të integritetit territorial.
Sipas Eliassonit, kur shtetet vendosin interesat e tyre mbi rregullat e përbashkëta, rreziku është që bota të rrëshqasë drejt “ligjit të xhunglës”, ku më të cenuarat mbeten demokracitë e vogla dhe të hapura. Ai thekson se mbrojtja e së drejtës ndërkombëtare nuk është naive, por një domosdoshmëri për paqen, drejtësinë dhe të ardhmen e Suedisë.
Në përfundim, Eliasson rikujton fjalët e ish-kryeministrit suedez Olof Palme, duke theksuar se “respekti për të drejtën ndërkombëtare është linja jonë e parë e mbrojtjes”./S.S

