17 Janar 2026 11:28

“Nuk mbulohet dielli me shoshë” – Arben Fetai godet opozitën

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas përmbylljes zyrtare të procesit të zgjedhjeve lokale 2025, duke kritikuar ashpër opozitën dhe duke vlerësuar rezultatin zgjedhor të koalicionit VLEN.

Fetai shkruan se gjatë gjithë vitit qytetarët kanë qenë dëshmitarë të, siç e quan ai, një opozite të çoroditur, e cila sipas tij ka ndryshuar vazhdimisht formë dhe narrativë politike, nga “Fronti”, te AKI dhe iniciativa të tjera që synonin, por nuk arritën, të prodhonin zgjedhje të favorshme për ta.

Ai përmend edhe tentativat për organizimin e një të ashtuquajturi “referendum”, duke akuzuar opozitën për propagandë politike nëpër komuna, ndërkohë që, sipas Fetait, problemet reale të qytetarëve si mungesa e ujit dhe infrastruktura rrugore mbetën të pazgjidhura.

Sipas zëvendëskryeministrit, narrativa opozitare u rrëzua përfundimisht më 19 tetor dhe 2 nëntor, kur VLEN fitoi në 10 komuna, rezultat që ai e cilëson si fakt politik të pamohueshëm. Ai shton se përpjekjet për ta paraqitur fitoren në Gostivar dhe Vrapçisht si triumf për BDI/AKI nuk mund të fshehin, siç shprehet, realitetin politik.

Duke u ndalur te Vrapçishti, Fetai vlerëson rezultatin e kandidatit Zulhajrat Demiri, i cili mori mbi 3 mijë vota, duke e cilësuar si një figurë të ndershme për të cilën komuna duhet të ndihet krenare. Ndërsa për Gostivarin, ai thekson se fitorja, sipas tij, nuk e shlyen borxhin prej 30 milionë eurosh që rëndon mbi komunën.