Perspektiva e Kristjan Asllanit te Interi po bëhet gjithnjë e më e zbehtë. Pas ndërprerjes së parakohshme të huazimit të tij te Torino, situata e mesfushorit shqiptar ka marrë një kthesë të re. Burime pranë klubit zikaltër bëjnë me dije se rikthimi i tij në Milano, me synimin për t’u bërë pjesë e projektit të ekipit të parë, nuk është një opsion i mundshëm.
Drejtuesit e Interit po punojnë intensivisht gjatë kësaj merkatoje dimri për të gjetur një zgjidhje të përshtatshme për Asllanin. Qëllimi kryesor është t’i sigurohet lojtarit vazhdimësia e nevojshme dhe hapësira për t’u zhvilluar, të cilat i kanë munguar në muajt e fundit.
Në këtë kuadër, Paris FC, një klub francez me ambicie të qarta, ka shfaqur një interes konkret. Ata kanë kryer një sondazh paraprak mbi kushtet e një transferimi të mundshëm gjatë këtij afati kalimtar. Klubi parisien, i cili kërkon të përforcojë repartin e mesfushës, e konsideron 21-vjeçarin shqiptar si një profil interesant për të rritur cilësinë dhe konkurrencën në zemër të fushës.
Për vetë Asllanin, një lëvizje e tillë do të ofronte një mundësi thelbësore për të rilançuar karrierën e tij dhe për të siguruar minutazh të rregullt në fushë, element kyç për zhvillimin e tij të mëtejshëm. Nga ana tjetër, për Interin, kjo do të përfaqësonte zgjidhjen optimale për një situatë që aktualisht mbetet e hapur dhe kërkon një epilog të shpejtë.

