17 Janar 2026 13:09

KQZ-ja në pritje të ankesave, shpallja e rezultateve më së largu më 21 janar

Përfundimi i procesit të numërimit të votave në orët e para të mëngjesit të së premtes i ka hapur rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor.

Megjithatë, koha e shpalljes së tyre do të varet nga ankesat eventuale që subjektet politike mund t’i parashtrojnë lidhur me procesin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas legjislacionit në fuqi, KQZ-ja duhet të presë deri në 12 ditë përpara se të kumtojë rezultatet përfundimtare, në mënyrë që të shterohen të gjitha afatet ligjore për ankesa.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se nga aspekti teknik institucioni është i gatshëm për shpalljen e rezultateve, por procedurat ligjore duhet të respektohen.

“Me përfundimin e numërimit të fletëvotimeve, nga ana teknike KQZ-ja është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me administrimin e numërimit në QNR, brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar,” ka thënë Elezi.

Aktualisht, PZAP-ja është duke shqyrtuar një ankesë të parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka të bëjë me numërimin e votave të ardhura nga diaspora. Sipas ligjit, PZAP-ja ka afat prej 72 orësh për të marrë vendim lidhur me këtë ankesë, ndërsa pala ankues ka edhe të drejtën e apelimit.

Sipas nenit 118 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vendimi i PZAP-së mund të ankimohet në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda 48 orëve nga pranimi i tij, në rastet kur gjoba e shqiptuar tejkalon 5 mijë euro ose kur çështja lidhet me një të drejtë themelore. Gjykata Supreme duhet të vendosë brenda pesë ditësh nga paraqitja e ankesës.

Shpallja e rezultateve përfundimtare, e cila bazuar në afatet ligjore pritet të bëhet më së largu deri më 21 janar, hap një tjetër cikël të mundshëm ankesash përpara certifikimit të rezultateve.

Pas vendimit të KQZ-së për rezultatet përfundimtare, subjektet politike kanë afat prej 48 orësh për të paraqitur ankesa në PZAP, ndërsa ky institucion ka edhe 96 orë të tjera për të marrë vendim. Edhe këto vendime mund të ankimohet në Gjykatën Supreme.

“Neni 106 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh se çdo person fizik apo juridik, të drejtat ligjore të të cilit janë cenuar me vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare, mund të parashtrojë ankesë në PZAP brenda 48 orëve nga shpallja e tyre, ndërsa PZAP-ja vendos brenda 96 orëve nga parashtrimi i ankesës,” thuhet në ligj.

Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit është përmbyllur në orët e para të mëngjesit të së premtes. Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasditen e së enjtes janë vlerësuar dhe numëruar edhe 3 mijë e 185 pakot e fundit me fletëvotime të ardhura nga jashtë vendit.