Të dhënat e fundit, të publikuara sot nga Banka Kombëtare, tregojnë një rritje të theksuar të çmimeve të pasurive të paluajtshme. Në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, çmimet u ngritën me 25 për qind në baza vjetore, ndërsa në një nivel mujor, rritja ishte 3.2 për qind. Kjo tendencë konfirmon dinamikën e fortë të tregut të pasurive të paluajtshme.
Kjo rritje e fundit vazhdon trendin e vërejtur gjatë gjithë vitit të kaluar. Në tremujorin e tretë, çmimet e pasurive të paluajtshme regjistruan një rritje vjetore prej 25.1 për qind, pas një ngritjeje prej 19.5 për qind në tremujorin e parë dhe 19.9 për qind në tremujorin e dytë. Banka Kombëtare e publikon indeksin e çmimeve të pasurive të paluajtshme bazuar në të dhënat që lidhen me apartamentet e shpallura për shitje në territorin e Shkupit, duke ofruar një pasqyrë të detajuar për kryeqytetin.
Në lidhje me këtë situatë, Andrea Serafimovski nga Shoqata e Ndërtimtarisë, Industrisë së Materialeve Ndërtimore dhe Jometaleve pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, shprehu për Agjencinë e Lajmeve pritshmërinë për një stabilizim të çmimeve të shitjes së apartamenteve këtë vit. “Presim një ofertë më të madhe dhe shpresojmë që viti 2026 të jetë një vit shënjues, në të cilin oferta do të harmonizohet me kërkesën. Pritshmëritë tona janë që të ndërtohet jo më pak se në vitin 2025 në rajonet ku pati një aktivitet të lartë transaksionesh vitin e kaluar, duke veçuar këtu Rajonin e Pollogut, Pellagonisë dhe Rajonin e Shkupit”, theksoi Serafimovski.
Ndërkohë, të dhënat e fundit nga Instituti Shtetëror i Statistikave për tetorin e vitit të kaluar tregojnë se nga 446 leje ndërtimi të lëshuara, 289 (që përbëjnë 64.8 për qind) janë dedikuar për objekte shumëkatëshe, duke parashikuar ndërtimin e 1,177 apartamenteve të reja. Njëkohësisht, Regjistri i Çmimeve dhe Qirave i Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme, për tremujorin e tretë të vitit 2025, evidentoi çmimin më të lartë të arritur për metër katror banese në 189,231 denarë, apo rreth 3,000 euro për metër katror, për një apartament me sipërfaqe totale prej 91 metrash katrorë, i vendosur në territorin e Komunës Qendër.

