Qeveria ende nuk ka dorëzuar në Kuvend Kodin e ri Penal, megjithëse afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese ka kaluar prej muajsh. Edhe pse Gjykata në shkurt hapi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe i dha Parlamentit gjashtë muaj për korrigjimin e dispozitave të kontestuara, deri më sot nuk dihet se ku ka mbërritur procesi. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, së fundi deklaroi se “dera për Kodin e ri Penal është e hapur”, por pranoi se Qeveria nuk ka dorëzuar ende asnjë propozim zyrtar. Të njëjtën paqartësi e konfirmon edhe deputetja e LSDM-së, Slavjanka Petrovska, e cila thotë se opozita nuk ka asnjë informacion se kur drafti do të mbërrijë në Kuvend. “Është shumë e vështirë të jap një përgjigje nga pozita e opozitës, sidomos kur Qeveria mban të mbyllur procedurat për ligjet kyçe – ose nuk i sjell fare në Kuvend, ose i shtyn përmes procedurave të shkurtra. Kjo është vërejtur edhe në Raportin e Komisionit Evropian”, tha Petrovska. Kodi i ri Penal pritet të korrigjojë ndryshimet e dy viteve më parë që çuan në amnistimin e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës, duke bërë që disa lëndë ndaj ish-funksionarëve të vjetërohen. Raporti i fundit i Komisionit Evropian ka ngritur pikërisht këtë shqetësim. Për më tepër, miratimi i Kodit të ri është pjesë e detyrimeve të agjendës reformuese, me afat deri në dhjetor të këtij viti. Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka deklaruar se drafti është në fazën përfundimtare, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi këtë javë se ndryshimet do të finalizohen deri në fund të vitit.

