18 Janar 2026 00:26

Limani: Viti i Ri 2026 të jetë vit i familjes dhe rinisë

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka përcjellë një mesazh festiv me rastin e Vitit të Ri 2026, duke falënderuar qytetarët për besimin, përkushtimin dhe bashkëpunimin në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më njerëzore dhe më të bashkuar.

Në mesazhin e tij, Limani vlerësoi se viti 2025 ka qenë një vit sfidash, por edhe i rezultateve konkrete në fushën e politikave sociale. Ai theksoi se gjatë këtij viti janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për forcimin e mbrojtjes sociale, zgjerimin e shërbimeve në komunitet dhe mbështetjen e qytetarëve më të cenueshëm, përfshirë personat me aftësi ndryshe.

Një vëmendje e veçantë, sipas ministrit, i është kushtuar fëmijëve, përmes investimeve në kopshte të reja, forcimit të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe promovimit të familjeve përkujdesëse si forma më humane e kujdesit institucional. Ai nënvizoi se paralelisht janë avancuar edhe politikat për të moshuarit, me krijimin e shërbimeve të reja, qendrave për plakje aktive dhe rritjen e sigurisë financiare për këtë kategori.

Limani bëri të ditur se investimet te të rinjtë kanë qenë një tjetër prioritet, duke u fokusuar në zhvillimin e tyre, punësimin dhe përfshirjen aktive në shoqëri, pasi, siç u shpreh ai, të rinjtë janë bartësit e së ardhmes.

Duke folur për vitin 2026, ministri paralajmëroi angazhim edhe më të fuqishëm për mbështetjen e familjeve, përmirësimin e politikave demografike dhe krijimin e kushteve për t’i mbajtur të rinjtë në vend. Sipas tij, fokusi do të jetë te politikat gjithëpërfshirëse në edukimin parashkollor, punësim, strehim dhe mirëqenie sociale, pa lënë askënd pas dore.

Në fund të mesazhit festiv, Limani uroi shëndet, lumturi dhe begati për çdo familje, duke shprehur dëshirën që viti 2026 të jetë vit i paqes, i ngrohtësisë familjare dhe i shpresës që kthehet në realitet.

Postimi i Ministrit Fatmir Limani