18 Janar 2026 01:16

Gashi: Viti që po mbyllet shënoi avancime të rëndësishme dhe forcim të unitetit institucional

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në fjalimin e tij të fundvitit, vlerësoi se viti që po përmbyllet ka qenë një vit i punës së përkushtuar dhe i hapave konkretë që kanë lënë gjurmë në funksionimin e institucionit ligjvënës.

Sipas Gashit, Kuvendi ka shënuar përparime të dukshme në rritjen e transparencës, proceset e digjitalizimit dhe në forcimin e rolit mbikëqyrës. Ai theksoi se gjatë këtij viti janë hapur më shumë dyert për qytetarët, për idetë dhe për dialogun politik, duke e bërë Kuvendin më inkluziv, më të qasshëm dhe më të besueshëm.

Një vëmendje e veçantë, sipas tij, i është kushtuar edhe diplomacisë parlamentare, përmes së cilës janë ndërtuar ura bashkëpunimi dhe miqësie me parlamente dhe institucione partnere, duke e përfaqësuar vendin me dinjitet dhe vizion.

Megjithatë, Gashi theksoi se mësimi më i rëndësishëm i këtij viti lidhet me nevojën për unitet dhe konsensus. Ai nënvizoi se përparimi i qëndrueshëm nuk buron vetëm nga reformat dhe proceset institucionale, por edhe nga pjekuria politike, besimi i ndërsjellë dhe gatishmëria për bashkëpunim.

“Vetëm kur qëndrojmë së bashku, me respekt për dallimet dhe me përgjegjësi ndaj shtëpisë sonë të përbashkët, mund të ndërtojmë një të ardhme më të drejtë dhe më të ndritur për të gjithë,” thuhet në fjalimin e kryetarit të Kuvendit.