Në mbledhjen e fundvitit të VLEN-it, njëri nga themeluesit e kësaj lëvizjeje, Fatmir Limani, u ka bërë thirrje bashkëveprimtarëve, miqve dhe anëtarëve të strukturave për unitet dhe reflektim të përbashkët, duke vlerësuar vitin që po mbyllet si një periudhë me sfida të mëdha politike dhe njerëzore.
Limani theksoi se, ndonëse këto sfida në disa momente kanë prodhuar edhe ndarje të brendshme, ato kanë shërbyer njëkohësisht për ta forcuar organizatën dhe për ta konsoliduar rreth idealit të përbashkët për ndryshim dhe dinjitet.
Sipas tij, përvoja e këtij viti ka dëshmuar se forca reale e VLEN-it buron nga uniteti, reflektimi i sinqertë dhe gatishmëria për të falur e për t’u rikthyer më i fortë.
Duke folur për pritshmëritë e vitit të ri, Limani tha se VLEN zgjedh të shikojë përpara me shpresë dhe jo pas me mllef. Në këtë frymë, ai bëri një ftesë të hapur për rikthim dhe ribashkim për të gjithë ata që mund të jenë ndier të lënë anash, të zhgënjyer apo të larguar përkohësisht nga strukturat e organizatës.
“VLEN ka qenë dhe mbetet shtëpia e përbashkët e atyre që besojnë në ndryshim, dinjitet dhe në një të ardhme më të drejtë,” u shpreh Limani, duke shtuar se viti i ri duhet të shënojë rikthimin e besimit dhe intensifikimin e punës së përbashkët.
Në përmbyllje, ai falënderoi anëtarët dhe përkrahësit për përkushtimin, sakrificën dhe besimin e treguar, duke theksuar se sfidat e kaluara janë dëshmi se rruga përpara duhet të vazhdohet së bashku më e bashkuar dhe më e fortë.
Postimi i plotë

