23 Janar 2026 00:19

Abdixhiku merr përgjegjësinë për humbjen e LDK-së paralajmëron dorëheqje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë përgjegjësinë për rezultatin e dobët që partia e tij ka shënuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ai ka njoftuar se në ditët në vijim do ta thërrasë Kuvendin e LDK-së për të shqyrtuar, siç u shpreh, “të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë” që i takojnë si kryetar. Në një paraqitje për media të dielën, Abdixhiku ka lënë të hapur mundësinë e dorëheqjes nga posti i kryetarit.

Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve nuk është ai që LDK-ja kishte pritur, duke e cilësuar këtë si një moment reflektimi, ndërsa theksoi se e respekton verdiktin e qytetarëve.

“Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t’i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë që mbaj si kryetar. Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur përballen me humbje të tilla”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai shtoi se gjatë pesë viteve në krye të LDK-së ka vepruar sipas bindjes se po bënte më të mirën për partinë, por pranoi se nuk ka arritur ta çojë atë aty ku, sipas tij, duhet të jetë.

“Këto pesë vjet kam vepruar ashtu siç kam besuar se është më e mira për LDK-në. Megjithatë, sot e them hapur se nuk kam arritur ta çoj LDK-në aty ku duhet të jetë. Kemi ndërtuar një ekip të mirë dhe një fushatë të dinjitetshme, por ky është verdikti qytetar dhe ne përulemi para tij. Qytetari gjithmonë ka të drejtë”, u shpreh ai.

Në fund, Abdixhiku e uroi edhe fituesin e zgjedhjeve, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

“Më lejoni të uroj fituesin. Shteti është mbi secilin prej nesh. Le të shpresojmë se qytetarët kanë zgjedhur drejt këtë herë”, tha Abdixhiku.