18 Janar 2026 00:47

Ali Ahmeti zbulon kushtet e BDI-së për koalicion me VMRO-DPMNE

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z. Ali Ahmeti, gjatë një interviste në emisionin televiziv “Debat në Shenja”, u pyet për natyrën e marrëdhënieve me partinë VMRO-DPMNE, veçanërisht pas pjesëmarrjes së Sekretarit të Përgjithshëm të VMRO-së në kongresin e BDI-së.

Ahmeti sqaroi se në kuvendin e partisë së tij ishin të ftuar përfaqësues nga të gjitha subjektet politike.Në vijim të bisedës, ai u ballafaqua me pyetjen se cilat janë kufijtë e padiskutueshëm të BDI-së për një bashkëpunim të mundshëm me VMRO-në.

Ahmeti theksoi se, sa i përket çështjes së zgjedhjeve, ata janë gjithmonë në gatishmëri dhe kërkojnë shpesh zhvillimin e tyre.

Më tej, ai shpjegoi se BDI-ja ka një grup vlerash dhe një kornizë të qartë, të cilën nuk e shkel. Kjo kornizë përfshin zbatimin me rigorozitet të Marrëveshjes së Ohrit, respektimin dhe implementimin e Marrëveshjes së Prespës, si dhe plotësimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë.Këto tri marrëveshje, ai i konsideroi si thelbësore dhe historike për ruajtjen e stabilitetit dhe garantimin e prosperitetit të Maqedonisë së Veriut. Përveç këtyre, Ahmeti shtoi se është vlerësuar si e nevojshme të shtohet edhe një marrëveshje tjetër e rëndësishme, ajo Kombëtare, e cila do të fokusojë përpjekjet drejt zhvillimit dhe përparimit të vendit.