23 Janar 2026 00:38

Ali Ahmeti pritet të rizgjidhet, Grubi në arrati. A është kjo reforma e BDI-së?

Bashkimi Demokratik për Integrim mban sot Kongresin partiak, një ngjarje që në letër paraqitet si rutinë statutare, por që në realitet përfaqëson momentin më kritik në historinë politike të partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Rizgjedhja e Ali Ahmetit si kryetar është thuajse e sigurt, pasi nuk ka asnjë kundërkandidat. Kjo, megjithatë, nuk është më lajm. Lajmi i vërtetë dhe pyetja që rëndon mbi këtë Kongres është tjetër së a do të distancohet BDI realisht nga politika Grubiste që e ka shndërruar partinë nga një projekt çlirimtar në instrument pushteti të kapur?

BDI hyn në këtë Kongres në krizën më të thellë që nga themelimi. Strukturat janë të paralizuara, besimi i elektoratit i rrënuar, ndërsa partia prej vitesh funksionon më shumë si autoritet personal i liderit sesa si organizatë politike me mekanizma demokratikë të gjallë.

Shtyllat organizative janë konsumuar, ndërsa përgjegjësia politike është shtyrë vazhdimisht nën qilim. Jozyrtarisht, raportohet se Ali Ahmeti ka përgatitur ndryshime në strukturat drejtuese, me largimin e disa figurave të njohura dhe zëvendësimin e tyre me kuadro më të rinj. Por dilema mbetet së a është ky rifreskim real apo thjesht riciklim i të njëjtit mentalitet pushteti? Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndë në kontekstin e faktit se një nga figurat kyçe të dekadës së fundit të BDI-së, Artan Grubi, ndodhet në arrati, i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe i futur në listën e zezë për pengim të drejtësisë.

Kjo është një njollë politike që nuk mund të mbulohet me fjalime kongresuale dhe as me fraza për “vizion” e “reforma”. BDI deklaron se Kongresi do të përcaktojë drejtimin e ardhshëm politik, organizativ dhe programor, duke premtuar forcim të demokracisë së brendshme dhe përgatitje për sfidat e reja.

Por sot, më shumë se kurrë, partia ndodhet në udhëkryq, ose do të shkëputet qartë nga trashëgimia Grubiste, klienteliste dhe e komprometuar, ose do të vazhdojë të mbajë barrën e saj deri në fund. Ky Kongres nuk është thjesht një procedurë për rizgjedhje. Është një test moral dhe politik për Ali Ahmetin dhe për BDI-në. Pyetja thelbësore mbetet së a do të guxojë Ahmeti të distancohet qartë nga politika që e lidhi BDI-në me Gruevskin, me korrupsionin, me kapjen e shtetit apo do të mjaftohet me ndryshime kozmetike për të blerë edhe pak kohë? Sot pritet jo vetëm një mandat i ri, por një përgjigje e qartë. Heshtja, në këtë fazë, do të ishte përgjigjja më e keqe ndaj eletoratit!