18 Janar 2026 01:27

Gucati nga Shkupi: Falë Izet Mexhitit kufijtë të hapur për veteranët, protesta e lirë, akuza të forta ndaj Rusisë dhe Serbisë

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, nga sheshi “Skënderbe” në Shkup, ku u mbajt protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, deklaroi se nuk ka asnjë problem në qarkullimin e qytetarëve dhe veteranëve në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

Gucati theksoi se lëvizja në kufi po zhvillohet e qetë dhe pa kontrolle të shtuara, duke falënderuar posaçërisht kryetarin e komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili sipas tij ka garantuar lëvizjen e lirë të veteranëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së për të marrë pjesë në protestë.

“Që nga momenti kur gjeneralët e UÇK-së kanë mbërritur në Shkup, kufiri është i qetë. Qytetarët po kalojnë pa probleme, nuk ka kontrolle të detajuara. Dua të falënderoj të gjithë iniciatorët që kanë ndërmarrë hapa konkretë, përfshirë dërgimin e doganierëve dhe policëve shqiptarë në kufi. Ky është një sukses i madh,” u shpreh Gucati.

Ai shtoi se është kontaktuar edhe nga kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, të cilin e falënderoi publikisht për angazhimin e tij, duke garantuar se kufiri do të mbetet i hapur për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në protestë.

“Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, më ka njoftuar se kufiri është dhe do të mbetet i hapur për të gjithë qytetarët që vijnë sot në protestë, dhe se situata është e qetë,” tha ai.

Në fjalën e tij, Gucati hodhi akuza të rënda lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një vullnet politik të Rusisë dhe Serbisë, të realizuar përmes, siç u shpreh ai, “një njeriu të çmendur nga Zvicra, si Dik Marti”.