21 Janar 2026 13:08

Zekolli: Punimet për autostradën Shkup – Bllacë nisin brenda këtij muaji

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, ka konfirmuar se punimet për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë do të nisin brenda këtij muaji.

Deklarata u dha gjatë intervistës së saj në emisionin Click Plus, që do të transmetohet sonte nga ora 21:30, ku Zekolli foli gjerësisht për ecurinë e projekteve infrastrukturore të vendit dhe prioritetet e qeverisë në këtë sektor.

Sipas saj, fazat përgatitore për fillimin e projektit tashmë janë drejt përfundimit, ndërsa procedurat teknike dhe administrative që kishin shkaktuar vonesa më herët, tani janë zgjidhur. Zekolli u shpreh e bindur se nuk ka më arsye të tjera që do të mund të shtynin nisjen e punimeve.

“Për shumë pak ditë – madje mund të them se brenda këtij muaji – do të kemi shënimin zyrtar të fillimit të punimeve në këtë aks rrugor,” deklaroi zëvendësministrja, duke nënvizuar rëndësinë e këtij projekti për lidhjen ndërkufitare me Kosovën.

Në një moment të intervistës, gazetari kërkoi konfirmim të drejtpërdrejtë nëse bagerët do të shihen në terren brenda këtij muaji, pra para përfundimit të vitit 2025. Zekolli u përgjigj:

“Po, këtë po e them me përgjegjësi, dhe uroj që kushtet klimatike të mos na e vështirësojnë procesin, sidomos gjatë muajve janar dhe shkurt. Qëllimi ynë është që të mos ketë asnjë ngecje në fazën fillestare të punimeve.”

Autostrada Shkup–Bllacë konsiderohet një ndër projektet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Maqedoninë e Veriut, me ndikim të drejtpërdrejtë në lidhjen ekonomike dhe sociale me Republikën e Kosovës. Zekolli theksoi se realizimi i këtij projekti do të lehtësojë qarkullimin e mallrave dhe pasagjerëve, si dhe do të shkurtërojë kohën e udhëtimit mes dy vendeve.

“Ky projekt është prioritet i Ministrisë së Transportit dhe një investim strategjik që do të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët dhe bizneset,” shtoi ajo.

Me konfirmimin se punimet do të nisin brenda këtij muaji, qytetarët dhe komuniteti i biznesit presin që projekti të ecë pa vonesa të tjera. Tani mbetet që kushtet klimatike të jenë të favorshme për mobilizimin e makinerive ndërtimore dhe vazhdimin e pandërprerë të punimeve.