21 Janar 2026 13:05

Fetai në OKB: “Korrupsioni luftohet me fakte, jo me supozime”

Zv.kryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, në fjalimin e mbajtur në Konferencën Globale të OKB-së për Përdorimin e të Dhënave në Matjen e Korrupsionit, që po zhvillohet në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të mbështetet në fakte të verifikuara, identifikim të qartë të rreziqeve dhe vigjilencë të vazhdueshme institucionale.

Ngjarja ka mbledhur përfaqësues të lartë të shteteve anëtare, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertëve të fushës. Gjatë fjalimit të tij, Fetai tha se “korrupsioni nuk luftohet me supozime apo ndërhyrje të rastësishme, por përballet me të dhëna të sakta, vigjilencë institucionale dhe përkushtim të palëkundur ndaj interesit publik”.

Ai nënvizoi se të dhënat përbëjnë jo vetëm një mjet teknik, por edhe një instrument demokratik që fuqizon mbikëqyrjen, orienton debatin publik dhe forcon kontratën shoqërore mes shtetit dhe qytetarëve.

Fetai përsëriti se Maqedonia e Veriut mbetet e angazhuar në forcimin e integritetit institucional dhe në zbatimin e standardeve ndërkombëtare për matjen e korrupsionit, si pjesë e agjendës së saj për qeverisje të mirë dhe modernizim të administratës publike.

Sipas njoftimit nga kabineti i tij, pjesëmarrja e delegacionit qeveritar në këtë konferencë përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe për forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në luftën e përbashkët kundër korrupsionit, si dhe në ndërtimin e institucioneve më transparente dhe më të qëndrueshme.