18 Janar 2026 00:26

Lamtumirë, Shpat zëri yt do të jehojë përgjithmonë

Familjarë, miq e kolegë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën sot në Pallatin e Kulturës në Tetovë për t’i dhënë lamtumirën e fundit këngëtarit të dashur tetovar, Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta në moshën vetëm 40-vjeçare pas një ataku kardiak, duke lënë pas një dhimbje të thellë dhe një boshllëk të pamatë në zemrat e të gjithëve.

Me zërin që i dridhej nga dhimbja, motra e tij, Jehona Kasapi, foli në emër të familjes:
“Sot, me zemër të thyer, jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit vëllait tim dhe tuajit, Shpatit. Nuk ka fjalë që e përshkruajnë këtë plagë, sepse ai nuk ishte thjesht një artist ishte pjesë e shpirtit tonë, një zë që na shoqëroi gjithë jetën.”

Kolegët e tij, artistë nga mbarë hapësira shqiptare, me lot në sy kujtuan çastet e bukura që ndanë me të.
“Ishim gjithmonë me idenë për të bërë një duet,” tha këngëtari Arif Ziberi. “Nuk gjetëm kurrë kohë ta realizonim… Por e di që Shpati tani është në një botë më të mirë. Aty do ta bëjmë atë duet, në botën tjetër.”

Edhe kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, shprehu dhimbjen e qytetit që humbi një prej figurave më të dashura: “Kjo nuk është humbje vetëm për familjen apo miqtë; është humbje për gjithë Tetovën. Ndoshta është e vërtetë ajo që thuhet: Perëndia i merr pranë vetes ata që i do më shumë. Ndoshta kjo botë e padrejtë nuk e meritonte Shpatin…”

Pas seancës komemorative në Shtëpinë e Kulturës, familjarë, shokë, miq dhe qindra qytetarë që e deshën dhe e vlerësuan e shoqëruan Shpat Kasapin drejt banesës së tij të fundit në varrezat e Tetovës, mes lotëve, heshtjes dhe kujtimeve që nuk do të shuhen kurrë