18 Janar 2026 01:07

Maqedonia e Veriut duhet të nisë ndryshimet kushtetuese për të avancuar drejt BE-së

Në një intervistë për “Euronews Bulgaria”, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese për të hapur fazën zyrtare të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ajo vuri në dukje se vendi ka filluar të zbatojë reformat e nevojshme, por se procesi mbetet i bllokuar pa këtë hap vendimtar.

“Sapo të miratohen ndryshimet kushtetuese, dhe pa vonesa apo kushte të tjera, mund të organizojmë Konferencën Ndërqeveritare,” theksoi Kos, duke e cilësuar këtë si kushtin kyç për përparimin në negociata.

Komisionerja përmendi se Maqedonia e Veriut tashmë përfiton nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ajo kujtoi se prej tetorit vendi është pjesë e mekanizmit SEPA, gjë që ka sjellë kursime prej rreth 62 milionë euro për qytetarët dhe bizneset. Po ashtu, ajo theksoi rëndësinë e marrëveshjes me Bullgarinë për Korridorin 8, që synon të forcojë lidhjet rajonale nga Adriatiku në Detin e Zi.

Sipas Kos, ka progres dhe vullnet politik për integrim evropian, por ndryshimet kushtetuese mbeten hapi i domosdoshëm për të ecur përpara.