Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka publikuar një analizë mbi etikën e komunikimit dhe menaxhimin e raporteve njerëzore në sferën publike.
Duke u bazuar në parimet e veprës së Thomas Erikson, “Rrethuar nga idiotë”, Limani ka goditur fenomenin e “dembelizmit intelektual” dhe ka kërkuar një rikonceptim të ushtrimit të pushtetit.
Sipas ministrit Limani, konfliktet ndërpersonale dhe polarizimi në shoqëri rrallëherë janë pasojë e mungesës së inteligjencës. Ai vlerëson se përplasjet burojnë kryesisht nga dallimet strukturore në temperament dhe stile të komunikimit, të cilat nëse nuk kuptohen, shndërrohen në burim përçarjeje.
“Përçarja sociale shfaqet shpesh si pasojë e interpretimit të gabuar dhe jo si mungesë e racionalitetit,” ka deklaruar Limani, duke vënë theksin te nevoja për të tejkaluar barrierat e komunikimit përmes njohjes së diversitetit njerëzor.
Në reflektimin e tij, Limani nënvizon se të kuptuarit e tjetrit nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtueshmëri, por është një parakusht për një komunikim funksional. Ai propozon një model të ri të udhëheqjes, i cili distancohet nga arroganca e autoritetit formal.
Në një realitet ku intensiteti i diskursit shpesh mbizotëron mbi forcën e argumentit, Ministri i Politikës Sociale apelon për një riorientim drejt dijes. Ai e cilëson reflektimin kritik si mjetin e vetëm që e shndërron pushtetin në një mekanizëm të mirëfilltë të shërbimit publik.
Ky qëndrim i Limanit vjen si një ftesë drejtuar opinionit publik dhe akterëve institucionalë në Maqedoninë e Veriut për të kultivuar një kulturë të re dëgjimi dhe bashkëpunimi, larg impulsivitetit dhe paragjykimeve.
Postimi i plotë i Ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani

