30 Janar 2026 15:19

Dodik kërkon shpalljen e pavarësisë së Republikës Serbe

Milorad Dodik, kryetari i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), lëshoi një thirrje të hapur dhe të paprecedentë gjatë një konference shtypi në Banja Luka, duke i kërkuar aktorëve politikë në Republikën Serbe që “së bashku të shkëputen nga Marrëveshja e Dejtonit” dhe të shpallin pavarësinë e këtij entiteti.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Dodik kërkon të mbajë relevancën politike duke riaktualizuar vazhdimisht ide me shanse minimale realizimi, duke u angazhuar në retorikë që shpesh shtyn kufijtë e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe të kuadrit kushtetues.Në fjalën e tij, Dodik theksoi nevojën për unitet, duke thënë: “Për të shmangur çmendurinë, unë propozoj të mblidhemi, të kundërshtojmë Sarajevën, të sfidojmë gjykatën, të ecim drejt një autonomie më të gjerë dhe drejt pavarësisë sonë.”

Ai u përpoq të justifikojë qëndrimin e tij duke përmendur shembullin e Grenlandës dhe deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtën për vetëvendosje. Megjithatë, ai shpërfilli faktin se ky territor e gëzon këtë dispozitë të sanksionuar me ligj të miratuar në vitin 2009, me pëlqimin e plotë të Danimarkës. Dodik pretendoi se konventat ndërkombëtare, pjesë integrale e Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës, qëllimisht nuk bëhen publike për të fshehur mbështetjen e tyre për vetëvendosjen e popujve, përfshirë ata në Bosnje-Hercegovinë.

Këto pretendime bien ndesh me interpretimin standard të Kartës së OKB-së, e cila i referohet vetëvendosjes së brendshme të popujve, respektivisht të drejtës për mbrojtje brenda kufijve të një shteti sovran. E drejta për vetëvendosje të jashtme, pra për pavarësi, është e lidhur vetëm me raste jashtëzakonisht të kufizuara, siç janë represioni i rëndë ose dekolonizimi, raste të cilat nuk përputhen me situatën e serbëve në Bosnje-Hercegovinë, të cilët gëzojnë statusin e popullit konstituiv.

Gjatë fjalimit, Dodik deklaroi gjithashtu se gjatë një vizite në Izrael i është “konfirmuar më tej e drejta për vetëvendosje”, pa ofruar detaje apo sqarime specifike. Ai përshkroi një ndarje të qartë midis “miqve” dhe “armiqve”, duke theksuar: “Ne kemi miq. Kemi armiq, dhe ky është Sarajeva, Sarajeva politike. Kemi armiq, elitën liberale perëndimore. Është thelbësore të ndërpresim disa procese dhe të ndalim çdo iniciativë që synon centralizimin e Bosnje-Hercegovinës.” Kjo retorikë shënon një ndryshim të rëndësishëm nga narrativa e tij e mëparshme, e cila shpesh theksonte “respektimin e plotë të shkronjës së Marrëveshjes së Dejtonit”; tani, ai haptazi hodhi poshtë këtë parim.

Milorad Dodik shkoi edhe më tej, duke theksuar nevojën për vetëvendosje dhe duke apeluar për bashkimin e spektrit politik të Republikës Serbe. “Ne duam vetëvendosje,” tha ai, duke i bërë thirrje njerëzve në Republikën Serbe të reflektojnë mbi mundësinë “që të mblidhemi, si pushteti ashtu edhe opozita, dhe të dalim nga Marrëveshja e Dejtonit dhe të rikthehemi në statusin e Republikës që ishte para nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit.” Ai argumentoi se serbët humbën gjithçka me Marrëveshjen e Dejtonit, duke përmendur shembuj si ushtria, policia kufitare, taksat indirekte, si dhe imponimin e prokurorisë, gjykatës dhe shërbimit inteligjent. “Këto kompetenca duhet të rikthehen nëse dëshirohet që ne të heqim dorë, qoftë edhe për pak çaste, nga synimi ynë për vetëvendosje,” përfundoi kryetari i SNSD-së.