Sot bëhen dy vite nga vrasja e rëndë e Liridona Ademajt, ngjarje që e tronditi Kosovën dhe që vazhdon të lërë plagë të hapura tek familja, shoqëria dhe të gjithë ata që e njohën.
Vëllai i saj, Leonard Ademaj, në një postim të dhimbshëm në Facebook, rrëfen mallin që rritet çdo ditë dhe boshllëkun që nuk mbushet kurrë.
“Malli për ty shtohet çdo ditë, mungesa jote ndihet në çdo çast. Këto dy vite kanë qenë të tmerrshme për ne si familje. Nuk e pranojmë dot faktin që ti nuk je më mes nesh. Do të luftojmë deri në frymën e fundit për drejtësi për ty, motër”, shkruan ai, duke i dhënë zë dhembjes së rëndë që nuk po shërohet.
Leonardi nënvizon se ata që dyshohen se e orkestruan dhe e kryen këtë krim duhet të marrin dënimin më të rëndë që lejon ligji, pa asnjë kompromis.
“Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar. Të kujtojmë me mall e shumë dashuri. Familja Ademaj dhe djemtë Diar & Dion”, shton ai, duke rikujtuar se drejtësia është e vetmja ngushëllim që mund të mbetet.
Ngjarja tragjike ndodhi më 29 nëntor 2023 në fshatin Bernicë të Prishtinës, ku Liridona Ademaj u vra teksa ndodhej në makinë me fëmijët e saj dhe bashkëshortin, Naim Murseli i cili sipas aktakuzës dyshohet si organizator i vrasjes.
Sipas Prokurorisë, vrasja dyshohet të jetë organizuar në këmbim të një shume të madhe parash, ndërsa rolin ekzekutues dyshohet ta ketë pasur Granit Plava, me përfshirjen e Kushtrim Kokales.
Të tre të dyshuarit u arrestuan brenda ditës së varrimit të Liridonës, vetëm pak orë pas ceremonisë mortore një detaj që e thelloi edhe më shumë tronditjen e opinionit.
Dy vite më vonë, dhimbja e familjes mbetet po aq e freskët, ndërsa kërkesa e tyre është e qartë: drejtësi e plotë, dënime shembullore dhe asnjë tolerim ndaj atyre që morën jetën e një nëne, motre dhe gruaje 30-vjeçare./IDENTITETI
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

