Kryeministri Hristijan Mickoski, nga foltorja e Kuvendit, pohoi se ndryshimet kushtetuese nuk do të realizohen pa plotësimin e dy parakushteve thelbësore.
Këto kushte përfshijnë njohjen dhe garantimin e të drejtave të komunitetit maqedonas në Bullgari, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut.
Së dyti, ai kërkon garanci të palëkundshme se Maqedonia e Veriut nuk do të përballet me bllokada apo pengesa të reja në rrugën e saj evropiane, të nxitura nga arsye subjektive. Këto kushte, sipas kryeministrit, janë të panegociueshme për sa kohë ai drejton qeverinë, duke theksuar se procesi nuk do të avancojë pa përmbushjen e tyre të qartë.
Mickoski u shpreh prerazi: “Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese për sa kohë jam unë kryeministër nëse nuk plotësohen së paku dy kushte. I pari është që komuniteti etnik maqedonas në Bullgari të fitojë të drejtat e tij të garantuara. Kushti i dytë ka të bëjë me garanci se nuk do të ketë veto të njëanshme, nënçmime apo trajtime poshtëruese të nxitura nga arsye subjektive.”
Ai u drejtoi një apel të gjithë 120 deputetëve, përfshirë edhe atyre që në të ardhmen mund të tentojnë të propozojnë ndryshime pa plotësimin e këtyre parakushteve, duke u rekomanduar të mos e mbështesin nismën. “Kur unë të mos jem më kryeministër, ndoshta do të ketë dikë tjetër që do t’ju përgjigjet ndryshe,” shtoi ai, duke lënë të hapur mundësinë e një qasjeje tjetër në të ardhmen.
Në reagim të menjëhershëm dhe me tone të ashpra, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kritikoi ashpër deklaratën e kryeministrit Mickoski. Ai theksoi se me këtë qëndrim, u shpërbë përfundimisht çdo premtim i koalicionit VLEN për një “rrugë të sigurt drejt Bashkimit Evropian”. Sipas Taravarit, në vend që të hapeshin perspektivat evropiane, rrugët drejt Brukselit po ngushtohen dita-ditës, ndërsa integrimi evropian po kthehet në një proces pa fund dhe pa një vizion të qartë.
Ai vlerësoi se realiteti politik aktual po e mban vendin të bllokuar në një ngërç, me pasoja direkte për jetën e qytetarëve. “Qytetarët po përballen me izolim, varfëri dhe humbje shprese. Koston e kësaj paaftësie të thellë politike po e paguajnë të gjithë, por veçanërisht shqiptarët, të cilët sot po përballen me faturën e impotencës politike të VLEN-it. Ata premtuan ndryshim, por sollën vetëm heshtje dhe nënshtrim,” deklaroi Taravari.
Ndërkohë, një anketë e fundit e realizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” zbuloi se plot 71% e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ky hulumtim, i prezantuar në Kuvend, tregon se BE-ja mbetet partneri më i besueshëm i Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në dritën e pasigurisë së perceptuar në politikat e SHBA-së. Gjithashtu, është rritur numri i atyre që e shohin Maqedoninë e Veriut si pjesë të botës perëndimore, pas dilemave të shprehura vitet e fundit mbi orientimin drejt Lindjes.
Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar në rrugëtimin e saj drejt BE-së, për shkak të kontestit me Bullgarinë fqinje. Vendi duhet të kryejë ndryshimet kushtetuese, që përfshijnë përfshirjen e komunitetit bullgar dhe etnive të tjera në Kushtetutë, për të avancuar në procesin e integrimit. Miratimi i tyre kërkon një shumicë prej dy të tretash në Parlament, dhe negociatat e plota me BE-në nuk do të fillojnë pa u kryer këto ndryshime. Më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut nisi bisedimet qasëse me BE-në, duke mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare. Kjo erdhi pas miratimit të propozimit francez, të cilin vendi e aprovoi më 16 korrik 2022, me kushtin paraprak të ndryshimeve kushtetuese. Në atë kohë, propozimi u votua në Parlament pa praninë e opozitës së atëhershme, e cila tashmë ndodhet në qeverisje.

