Ish-zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Marrëdhënieve Ndërkomunitare, Artan Grubi, u dërgua mbrëmjen e sotme në Gjykatën Penale Themelore, pas gati gjashtë orësh marrjeje në pyetje në Prokurori.
Ai u nxor nga ndërtesa e Prokurorisë pak para orës 19:00 me pranga dhe u vendos në një furgon të policisë së burgut, nën vëzhgimin e mediave.
Grubi, i cili kishte qenë në arrati për më shumë se një vit, u kthye herët në mëngjes në Maqedoninë e Veriut përmes pikës kufitare “Bllacë”, ku u dorëzua vullnetarisht në polici.
Megjithatë, ndonëse kishte një masë paraburgimi të caktuar që nga largimi i tij nga vendi, Prokuroria Publike e Shkupit ka kërkuar që kjo masë të zëvendësohet me arrest shtëpiak, si dhe t’i konfiskohet dokumenti i udhëtimit.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është arsyetuar me faktin se shumica e provave janë siguruar gjatë procedurës, se Grubi është paraqitur vullnetarisht para organeve të rendit dhe se ekzistojnë indikacione se siguria e tij personale nuk mund të garantohet në njësinë e paraburgimit. Këto shqetësime për sigurinë, sipas Prokurorisë, vlejnë edhe për anëtarët e familjes së tij.
Ndërkohë, ky zhvillim pritet të nxisë reagime dhe spekulime politike, pasi rasti i tij ka qenë një nga më të përfolurit në opinion. Grubi, së bashku me shtatë ish-zyrtarë të tjerë dhe anëtarë të BDI-së, dyshohet për përvetësim të milionave eurove në Lotarinë Shtetërore.
Ai pritet të mbahet në arrest shtëpiak, ndërsa opinioni mbetet në pritje të vendimit të Gjykatës dhe zhvillimeve të mëtejshme në këtë çështje.

