17 Shkurt 2026 11:07

Ministri Fatmir Limani: 17 Shkurti, festë e krenarisë dhe unitetit kombëtar

Me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republika e Kosovës, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i Republika e Maqedonisë së Veriut, Fatmir Beqir Limani, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar këtë përvjetor si “jubile të madh të shtetësisë dhe dinjitetit kombëtar”.

Në mesazhin e tij, Limani thekson se 18 vite shtetësi përfaqësojnë pragun e pjekurisë për Kosovën, e cila sipas tij tashmë është konsoliduar si faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor.

“Ky përvjetor është reflektim mbi rrugëtimin tonë të përbashkët drejt vlerave euro-atlantike, ku drejtësia sociale dhe mirëqenia e qytetarit përbëjnë fundamentin e çdo politike shtetndërtuese,” thuhet në mesazh.

Ministri nënvizon gjithashtu se lidhjet sociale dhe familjare mes qytetarëve në të dy vendet tejkalojnë kufijtë administrativë, duke i cilësuar ato si dëshmi të vitalitetit demografik dhe potencialit njerëzor që nxit zhvillimin rajonal.

Nga pozita e tij institucionale, Limani rikonfirmon përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e politikave sociale dhe mbrojtjes së kapitalit njerëzor, duke shtuar se stabiliteti dhe suksesi i Kosovës janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me prosperitetin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë në rajon.

Në përmbyllje të mesazhit të tij, ai uron që Kosova të vazhdojë rrugën e integrimit të plotë në familjen evropiane, duke theksuar se e ardhmja ndërtohet mbi dije, inovacion dhe bashkëpunim të ndërsjellë.