10 Shkurt 2026 00:10

Qeveria suedeze ashpërson kërkesat për nënshtetësinë suedeze

Qeveria suedeze ka bërë publik një propozim të rëndësishëm ligjor, i cili synon të ashpërsojë kriteret për marrjen e nënshtetësisë suedeze.

Sipas këtij projektligji të ri, aplikantët do të duhet të demonstrojnë njohuri të gjuhës suedeze dhe të kenë zhvilluar një jetë të ndershme. Ministri i Migracionit, Johan Forssell (M), në një konferencë për shtyp, theksoi se “Suedia nuk është një bashkësi pa kërkesa”, duke sinjalizuar një ndryshim themelor në politikën e shtetësisë.

Ndër masat e reja të propozuara, kërkohet që personi të ketë një sjellje të ndershme, të zotërojë gjuhën suedeze dhe të jetë në gjendje të mbajë veten financiarisht. Gjithashtu, periudha e kërkuar e qëndrimit në Suedi do të zgjatet nga pesë në tetë vjet. Një kriter tjetër i rëndësishëm do të jetë vendosja e një kërkese për të ardhura, rreth 20,000 korona suedeze në muaj, si dhe demonstimi i “njohurive të mjaftueshme” për shoqërinë suedeze. Këto ndryshime synojnë të sigurojnë që shtetasit e rinj të jenë të integruar plotësisht dhe të kontribuojnë në shoqëri.

Kur ligji të hyjë në fuqi, ai do të aplikohet për të gjitha çështjet që nuk janë vendosur ende, sipas ministrit Forssell. Ai theksoi se në të kaluarën, individët kanë mundur të bëhen shtetas suedezë pa zotëruar asnjë fjalë suedisht, madje ka pasur raste kur personi ka fituar shtetësinë ndërsa ishte i burgosur për vepra të rënda, si vrasja. Partitë e marrëveshjes “Tidö” kanë avancuar edhe më tej në ashpërsimin e kritereve, veçanërisht sa i përket kohës së pritjes pas dënimit penal. Për shembull, një person i dënuar me katër vjet burg do të përballet me një kohë pritjeje pesëmbëdhjetëvjeçare pas përfundimit të dënimit. Ludvig Aspling (SD) deklaroi se “do të ketë kohë dukshëm më të gjata përpara se personat që kanë kryer krime të mund të aplikojnë për nënshtetësi.”

Njohuritë e mjaftueshme të gjuhës suedeze dhe shoqërisë suedeze do të testohen përmes provimeve specifike. Provimet e para të njohurive shoqërore pritet të fillojnë qysh në muajin gusht. Forssell sqaroi se këto teste nuk do të fokusohen në detaje të imta historike apo data të caktuara, por do të vlerësojnë aftësitë praktike të nevojshme për t’u integruar dhe për të marrë pjesë në jetën publike, siç është votimi në zgjedhjet e përgjithshme. Lidhur me pyetjen nëse kjo do të rrisë numrin e aplikimeve të refuzuara, ministri i migracionit u shpreh se “është e vështirë ta parashikosh. I gjithë qëllimi i kësaj është që ne duam që njerëzit të bëhen shtetas. Kjo është një pjesë shumë vendimtare e punës për integrimin.” Propozimet pritet të hyjnë në fuqi në Ditën Kombëtare të Suedisë, më 6 qershor të këtij viti.