8 Shkurt 2026 23:48

Mesazh Publik për Albin Kurtin: “Mjaft me referate për të kaluarën, populli kërkon fabrika dhe dinjitet”

Nga Suedia, veprimtari i çështjes kombëtare, Ramush Krasniqi, i drejtohet Albin Kurtit me një thirrje urgjente: Fokusohuni te punësimi, patriotizmi i sotëm është ndërtimi i shtetit.

Në një letër të hapur drejtuar Kryeministrit Albin Kurti, infermieri dhe kantautori i njohur, njëherësh veprimtar i palodhshëm i kauzës kombëtare nga diaspora (Suedi), Ramush Krasniqi, ka shprehur mbështetjen e tij për një mandat të dytë të qeverisë, por me një kusht të prerë: ndryshimin e prioriteteve.

Krasniqi ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit ndaj rrjeteve sociale, ku shpesh mbizotërojnë shkrimet e gjata për të kaluarën dhe historitë e vuajtjeve. Sipas tij, kjo fazë duhet t’u lihet profesionistëve të fushës.

“Albin, ne të mbështetëm që të vazhdosh edhe një mandat, por të lutem: mos vazhdo me referate të stërzgjatura për historinë. Atë pjesë lëre në dorë të historianëve dhe gazetarëve. Unë dëshiroj të të shoh duke ndërtuar fabrika dhe duke punësuar popullin,” shprehet Krasniqi.

Veprimtari thekson se koha e “patriotizmit folklorik” ka perënduar. Sipas tij, nderimi më i madh që mund t’u bëhet heronjve dhe atyre që u burgosën për këtë vend, është një Kosovë e zhvilluar ku qytetari jeton me dinjitet.

Në mbyllje të mesazhit të tij, Ramush Krasniqi kujton se sakrifica e dëshmorëve merr kuptim vetëm nëse Kosova lulëzon.

“Heronjtë kanë rënë që populli të ketë jetë të dinjitetshme. Ata nderohen vërtet nëse Kosova përparon, e jo me referate çdo mëngjes në rrjete sociale,” përfundon ai.