4 Shkurt 2026 16:46

Melinda Gates thyen heshtjen për lidhjet e ish-bashkëshortit me Jeffrey Epstein: “E lumtur që jam larg asaj papastërtie”

NEW YORK – Dokumentet e reja gjyqësore që lidhen me dosjen e bujshme të Jeffrey Epstein kanë rikthyer në qendër të vëmendjes marrëdhënien e Bill Gates me kriminelin e dënuar seksual, duke nxitur një reagim të ashpër nga ish-bashkëshortja e tij, Melinda Gates.

Përmendja e emrit të themeluesit të Microsoft-it në dokumentet e fundit ka shkaktuar reagime të forta. Melinda Gates, përmes një deklarate, ka shprehur trishtim të thellë, duke e cilësuar këtë situatë si një rikthim të kujtimeve të dhimbshme nga periudha e martesës së tyre.

Gjatë prononcimit të saj, filantropistja u tregua e prerë lidhur me akuzat që rëndojnë mbi figurat e përfshira në dosjen Epstein.

“Jam shumë e lumtur që jam larg gjithë asaj papastërtie,” deklaroi ajo, duke shtuar se beson që çdo person i përmendur në ato dokumente, përfshirë edhe ish-bashkëshortin e saj, duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tyre.

Çifti i dha fund martesës së tyre 27-vjeçare në vitin 2021, ndërkohë që mediat amerikane kanë raportuar vazhdimisht se një nga arsyet e krisjes ishte pikërisht shqetësimi i Melindës për takimet e Bill Gates me Epstein, të cilat kishin nisur vite më parë.

Në dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, përfshihet edhe një pretendim i vetë Epsteinit, i cili pretendonte se Bill Gates kishte kontraktuar një sëmundje seksualisht të transmetueshme. Ky pretendim është hedhur poshtë me forcë nga ana e miliarderit.

Një zëdhënës i Bill Gates e cilësoi deklaratën si shpifje të pastër:

“Këto pretendime, që vijnë nga një gënjeshtar i provuar dhe i pakënaqur, janë plotësisht absurde dhe krejtësisht të pavërteta.”

Deri më tani, Bill Gates nuk është akuzuar për asnjë krim nga asnjë prej viktimave të Epsteinit. Ekspertët ligjorë theksojnë se shfaqja e emrit në këto dokumente dëshmon kontaktet mes palëve, por nuk nënkupton domosdoshmërisht përfshirje në aktivitete kriminale.

Megjithatë, për Melinda Gates, kjo valë e re informacionesh duket se konfirmon dyshimet që e çuan drejt divorcit, duke e distancuar veten përfundimisht nga e kaluara e ish-partnerit të saj.