Astrit Gashi
Në teatrin e sotëm politik, orvatja për të delegjitimuar mërgatën nuk është thjesht një gabim taktik por është një akt i dëshpëruar i një klase që refuzon të shohë veten në pasqyrë.
Kur zgjidhet goditja ndaj mergatës, në fakt po goditet shtylla kurrizore e shtëpisë sonë, duke dëshmuar një verbëri shoqërore që kufizohet me vetëshkatërrimin.
Ky diskurs, i orkestruar nga figura që shpesh nuk gëzojnë as besimin e rrethit të tyre të ngushtë, tenton të maskojë dështimin për të prodhuar një ofertë dinjitoze politike!
Është paradoksale që, në vend të një reflektimi të thellë dhe një kërkimfaljeje publike për vite të tëra opozitarizmi steril, zgjidhet rruga e fyerjes ndaj atyre që e mbajtën gjallë këtë vend në ditët më të vështira.
Kjo valë urrejtjeje nuk është organike. Ajo ushqehet dhe mirëmbahet nga mekanizma mediatikë të porositur, që nuk përfaqësojnë as interesin e diasporës dhe as atë të Kosovës. Ky investim i huaj në përçarjen tonë të brendshme synon të shkëpusë urën e vetme që mban gjallë shpresën për një shtet të pavarur nga nëntoka e antivlerave, duke goditur lidhjen e pathyeshme mes popullit dhe vëllezërve të tij në mërgim.
Dyfyrtësia dhe hipokrizia e këtij sulmi kap kulmin kur kuptojmë se po e shajmë pikërisht atë mërgatë që prodhoi krenarinë tonë botërore. Si mund të delegjitimohet diaspora që i dha kombit emra si Dua Lipa, Rita Ora, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri? Këta emra janë dëshmia e gjallë se kur talenti kosovar gjen liri dhe mundësi, ai pushton majat e botës. T’i shpallësh këta njerëz “të huaj” apo të parëndësishëm në momentin që ata duan të kontribuojnë për vendin e tyre përmes votës, është jo vetëm mosmirënjohje, por një vetëvrasje kulturore dhe politike.
Faktet elektorale janë të pamëshirshme të cilat tregojnë së mbështetja për ndryshimin nuk është importuar nga jashtë por ajo ka lindur dhe është rritur brenda Kosovës. Diaspora vetëm sa i dha zë dhe vulë një vullneti që ekzistonte tashmë.
Thjesht, saktë dhe qartë: dështimin e korrët këtu, në shtëpinë tuaj, në lagjen tuaj. Mërgata ishte vetëm dëshmitarja e këtij verdikti.
Të sulmosh këtë lidhje organike do të thotë të mohosh realitetin e çdo familjeje kosovare, ku kufiri fizik nuk ka arritur kurrë të ndajë fatin ekonomik, moral apo politik. Ky nuk është një debat mbi votat, por një krizë argumentesh; kur mungojnë idetë e reja dhe reforma reale, “tjetri” shndërrohet në alibi.
Mërgata nuk është një armik politik, por një zgjatim jetik i qenies sonë kombëtare. Çdo përpjekje për ta portretizuar si një faktor destabilizues është shenjë e një politike të vjetruar që ushqehet me nepotizëm. Nëse degët e dikurshme të partive në diasporë sot duken të shuara, ky nuk është sukses i dikujt tjetër, por dështim i juaji për të frymëzuar besim.
Populli nuk mund të mashtrohet më. Nuk është mërgata ajo që e ka varfëruar debatin, por paaftësia e një klase politike për të kuptuar se një komb që shan shtëpinë e vet, është një komb që ka humbur busullën e të ardhmes. Reforma e vërtetë fillon duke pranuar se mërgata nuk është fajtori, por pasqyra e një dështimi që ju ende refuzoni ta korrigjoni

