Këshilli Bashkiak i Sarajevës ka dhënë pëlqimin kryebashkiakut për të angazhuar një avokate në procedurat gjyqësore që po zhvillohen në Milano. Këto procedura kanë për qëllim ndjekjen penale të individëve të dyshuar për sulme me snajperë kundër qytetarëve gjatë rrethimit të kryeqytetit të Bosnje e Hercegovinës në vitet ’90. Vendimi, i miratuar më 25 shkurt, bëri të mundur punësimin e avokates Nicola Brigid, duke hapur rrugën për fillimin e aktiviteteve me qëllim nisjen e procedurave penale para autoriteteve gjyqësore italiane.
Sipas njoftimit nga administrata e qytetit, planifikohet grumbullimi i të dhënave dhe dokumentacionit për qytetarët e Sarajevës të vrarë nga snajperët. Kjo përfshin të dhënat identifikuese të viktimave, rrethanat e vdekjes së tyre dhe dëshmitë përkatëse. Qëllimi kryesor është mbrojtja e dinjitetit të viktimave, kontributi në përcaktimin e përgjegjësisë penale individuale dhe dhënia e një kontributi thelbësor në përpjekjet ndërkombëtare për ndjekjen penale të krimeve të luftës.
Hetimi në Milano mori dhenë pas raporteve të mediave italiane në fillim të nëntorit 2025, kur Prokuroria e Milanos hapi një hetim bazuar në një raport të shkrimtarit dhe gazetarit Ezio Gavazzeni. Raporti pretendon se individë ishin paguar për të shkuar në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Serbe dhe për të qëlluar civilë me snajperë gjatë rrethimit të Sarajevës. Aktualisht, një shtetas italian 80-vjeçar, ish-shofer kamioni nga provinca e Pordenones, ndodhet nën hetim dhe u mor në pyetje më 9 shkurt. Edhe Departamenti Special për Krime Lufte i Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës ka hapur një çështje të lidhur me akuzat për “snajperët e fundjavës”, siç konfirmoi më herët ky institucion gjyqësor për Radion Evropa e Lirë.
Gjatë rrethimit gati katërvjeçar të Sarajevës, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, çdo i dhjeti fëmijë u vra nga zjarri i snajperëve dhe mbi 14.000 fëmijë u plagosën. Pavarësisht kësaj tragjedie masive, deri më sot, asnjë snajper individual nuk është ndjekur penalisht, as në gjykatat vendase, as në ato ndërkombëtare. Tribunali i Hagës, në vendimet e tij kundër zyrtarëve të lartë të Republikës Serbe, ka konkluduar se fushata e snajperëve synonte terrorizimin e civilëve të Sarajevës, duke theksuar natyrën çnjerëzore të këtyre akteve.

