26 Shkurt 2026 02:00

Bekim Qoku: Amnistia e Grubit, alarm kombëtar; BDI po përpin parti të vogla dhe po normalizon tradhtinë

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Bekim Qoku, ka shprehur një reagim të fortë ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke theksuar se ndonëse parimi i prezumimit të pafajësisë është themelor në çdo sistem demokratik liberal, ai nuk duhet të përdoret si mburojë ndaj akuzave të rënda. VLEN, ku Qoku bën pjesë, mban një qëndrim të prerë lidhur me integritetin publik dhe nevojën për llogaridhënie.

Sipas Qokut, është e papranueshme të injorohen akuzat që vijnë nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një partner i rëndësishëm dhe historik për shqiptarët. Ai veçoi bashkëpunimin e dyshuar të ish-Zëvendëskryeministrit Artan Grubi me ish-shefin e shërbimeve sekrete Sasho Mijallkov, si dhe implikimin e mundshëm në shmangien e vuajtjes së dënimit me burg dhe në parashkrimin e lëndëve gjyqësore të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Këto pretendime, tha deputeti, kërkojnë transparencë dhe adresim të plotë.

“Heshtja përballë këtyre fakteve nuk i shërben së vërtetës dhe interesit publik. Ata që vërtet e duan popullin e tyre nuk mund të relativizojnë tradhtinë. Adhurimi i tradhtisë është mohim i atdhedashurisë”, theksoi Qoku, duke dërguar një mesazh të qartë politik. Ai shtoi se “një amnisti kaq e shpejtë, për më tepër, vetëm sa inkurajon bashkëpunime të tilla në të ardhmen, duke cenuar parimin e drejtësisë”.

Më tej në deklaratën e tij, deputeti i VLEN-it shtriu analizën e tij në një kontekst më të gjerë politik. Ai argumentoi se partitë e vogla, të zhveshura nga ideologjia dhe kauzat madhore, bëhen lehtësisht pre e partive më të mëdha dhe të organizuara. Në këtë optikë, Qoku vlerësoi se disa subjekte politike që kanë hyrë në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) nuk kanë bërë një kalkulim të saktë të pozicionit të tyre politik.

Sipas tij, simpatizantët dhe aktivistët e këtyre partive, të cilët për vite të tëra kanë vepruar kundër BDI-së, sot janë shndërruar dhe absorbuar pothuajse tërësisht brenda strukturave të saj. Qoku theksoi se reagimet pas arrestimit të Grubit shpalosin një transformim thelbësor të qëndrimeve të disa strukturave satelite, duke e cilësuar këtë si dëshmi të fuqisë së lartë absorbuese politike të BDI-së në skenën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.