9 Shkurt 2026 22:36

Kurti: “Kërkesa për 45 vjet burgim injoron plotësisht kontekstin e luftës çlirimtare”

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë në Hagë për dënimin me nga 45 vjet burgim të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjithsej 180 vjet burgim.

Kurti ka deklaruar se një kërkesë e tillë nuk mbështetet në standarde të pranuara ndërkombëtare të dënimit dhe se ajo e injoron kontekstin historik, politik dhe shoqëror të luftës në Kosovë.

“Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosjeje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit,” ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka shtuar se kjo qasje përpiqet ta vendosë luftën e UÇK-së në një “vakum juridik”, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare, gjë që sipas tij rrezikon deformimin e së vërtetës historike.

“Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit. UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse,” ka theksuar Kurti.

Në reagimin e tij, Kurti ka nënvizuar se lufta e UÇK-së u zhvillua në rrethana të okupimit të egër dhe dhunës sistematike, duke e cilësuar atë si kryengritje anti-kolonialiste.

Në fund, ai ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike dhe historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri, si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo përpjekje për shtrembërimin e tyre.