Ndonëse përbërja aktuale parlamentare e hoqi nga agjenda propozim-ligjin që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, nisma është rikthyer në qendër të vëmendjes përmes rrugëve institucionale.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka konfirmuar pranimin e peticionit të qindra studentëve dhe njoftoi se tashmë ia ka përcjellë këtë kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për shqyrtim të mëtejshëm. Nga kabineti i Gashit deklaruan për Portalb.mk se kryeparlamentari u ka dhënë mbështetje të plotë përfaqësuesve të studentëve, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar pranimin e dokumentit, por pa dhënë detaje konkrete për hapat që do të ndërmerren.
Gjithsej 385 studentë shqiptarë nga Fakultetet Juridike të Universitetit të Tetovës, UEJL-së dhe UNT-së, kërkojnë që ky provim të mbahet edhe në gjuhën shqipe, duke argumentuar se kjo e drejtë u takon me ligj, pasi në këtë gjuhë i kanë përfunduar edhe studimet. Peticioni u është drejtuar instancave më të larta, përfshirë Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve dhe Qeverinë, e cila ka paralajmëruar shqyrtimin e kërkesës. Edhe pse propozim-ligji ishte gati në fillim të vitit 2024, ndryshimi i pushtetit bëri që ai të tërhiqej nga agjenda parlamentare, duke e lënë procesin në pritje.
Juristët dhe studentët vlerësojnë se nuk ka asnjë pengesë reale ligjore, pasi Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk e ndalon shprehimisht përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i obligon institucionet të mundësojnë përdorimin e saj në të gjitha procedurat zyrtare. Pavarësisht se që nga viti 2019 në krye të Ministrisë së Drejtësisë janë ndërruar katër ministra, kjo çështje mbetet e pazgjidhur, duke sfiduar premtimet për barazi institucionale dhe zbatim të plotë të dygjuhësisë.
Që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në vitin 2019, dikasteri i Drejtësisë është drejtuar nga katër ministra të ndryshëm (Mariçiq, Tupançevski, Lloga dhe Filkov), por as prania e ministrave apo zëvendësministrave shqiptarë ndër vite nuk ka arritur ta finalizojë këtë kërkesë jetike për juristët e rinj.
Qeveria ka deklaruar se do ta shqyrtojë kërkesën, por mbetet të shihet nëse këtë herë do të ketë vullnet politik për të zhbllokuar procesin e mbetur pezull.

