Bashkimi Demokratik për Integrim ka përmbyllur sot mbledhjen e tretë të Këshillit të Përgjithshëm, duke shënuar një lëvizje të rëndësishme në skenën politike përmes zyrtarizimit të bashkimit me Partinë Demokratike Evropiane.
Me propozim të kryetarit Ali Ahmeti dhe miratim unanim, Arjanit Hoxha është zgjedhur nënkryetar i ri i BDI-së, ndërkohë që ai dhe bashkëpunëtorët e tij, Vedat Osmani, Bastri Bajrami e të tjerë, janë bërë pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Përveç riorganizimit strukturor, subjekti ka shprehur shqetësime serioze lidhur me zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese, duke dënuar tentativat për shfuqizimin e “balancuesit”, prekjen e Ligjit për gjuhët dhe riaktualizimin e “rasteve të Hagës”.
BDI ka vlerësuar se këto veprime cenojnë drejtpërdrejt Marrëveshjen e Ohrit dhe stabilitetin e shtetit, ndërsa ka paralajmëruar qëndrim konsekuent në mbrojtje të dygjuhësisë dhe simboleve kombëtare që po goditen përmes nismave të fundit në komunën e Tetovës.

