Në kuadër të progresit të arritur në zbatimin e reformave në fushën e mbrojtjes sociale, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, zhvilloi sot një takim me Carole Megevand, Menaxhere e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe me misionin e Bankës Botërore që po qëndron këtë javë në Shkup.
Takimi u fokusua në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përmbylljen me sukses të aktiviteteve të planifikuara dhe identifikimin e mundësive për inicimin e projekteve të reja me rëndësi strategjike për vendin.
Nën udhëheqjen e ministrit Fatmir Limani, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, gjatë një viti e gjysmë të fundit, ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në zbatimin e Projektit të Administrimit të Sigurimit Social, një projekt me rëndësi strategjike për vendin, me vlerë 13.8 milionë euro, i mbështetur nga Banka Botërore.
Gjatë takimit u theksua progresi i dukshëm në realizimin e këtij projekti, veçanërisht në modernizimin e sistemit të sigurimit social, forcimin e kapaciteteve administrative dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Palët vlerësuan angazhimin profesional të ekipit të ministrisë dhe bashkëpunimin konstruktiv me Bankën Botërore.
Po ashtu, u diskutua për vazhdimin e reformave në fushën e mbrojtjes sociale, rinisë dhe zhvillimit gjithëpërfshirës, me theks në rritjen e transparencës, përfshirjes sociale dhe mbështetjes për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.
Ministri Limani riafirmoi përkushtimin e institucionit që drejton për zbatim të përgjegjshëm të projekteve, bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe avancim të politikave publike në interes të qytetarëve.

