Gazetarja Liridona Veseli është dënuar me një gjobë prej 700 eurosh për veprën penale “keqpërdorim i të dhënave personale”, pas një raportimi ku kishte përmendur emrin e gjyqtarit Nazif Iljazi nga Gjykata Themelore e Tetovës.
Kjo masë e pazakontë ka ngjallur polemika të forta në opinionin publik, duke shtruar pyetje thelbësore lidhur me lirinë e medias dhe funksionimin e sistemit gjyqësor. Procedura penale ndaj zonjës Veseli u iniciua nga Prokuroria, ndërsa aktgjykimi u shpall nga gjyqtarja Magdalena Mishoska nga Gjykata Themelore në Gostivar.
Sipas gazetares Veseli, aktgjykimi lidhet me një temë tejet serioze që ajo kishte trajtuar: një rast penal të rëndë, ku një person i rritur kishte shantazhuar një të mitur, i kishte dërguar materiale pornografike dhe e kishte kërcënuar. Në këtë çështje specifike, siç thekson gazetarja, gjyqtari Iljazi kishte shqiptuar një dënim prej vetëm tre muajsh burg efektiv. “Jam dënuar vetëm sepse e kam përmendur emrin e gjyqtarit në kontekst të një vendimi gjyqësor për një rast serioz penal. Dënimi është 700 euro për gjoja keqpërdorim të të dhënave personale”, deklaron Veseli, duke e konsideruar këtë dënim të papranueshëm.
Në arsyetimin me shkrim të aktgjykimit, gjyqtarja Mishoska thekson se më 28 tetor 2024, gazetarja, pa pëlqimin e gjyqtarit Nazif Iljazi, ka përdorur të dhënat e tij personale, emrin dhe mbiemrin, përmes publikimeve në rrjetet sociale Instagram dhe TikTok. Sipas gjykatës, ky veprim i ka shkaktuar dëm nderit dhe reputacionit të tij në veprimtarinë profesionale, të cilën gjyqtari e ushtron prej më shumë se 37 vitesh. Gjykata ka konstatuar se me këto veprime janë përmbushur elementet thelbësore të veprës penale “keqpërdorim i të dhënave personale”, sipas dispozitave të Kodit Penal.
Aktgjykimi ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik dhe nga figura të larta politike. Një nga reagimet më të forta erdhi nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, i cili e vlerësoi rastin si një tregues serioz të gjendjes së lirisë së shprehjes dhe besimit në sistemin gjyqësor. Sipas Isenit, është një “paradoks i madh” që gjyqësori, i cili për vite me radhë ka qenë i politizuar dhe i degraduar, të prezantohet tani si viktimë. Ai shtoi se besimi në drejtësi ka rënë në një minimum historik, rreth tre për qind, si pasojë direkte e instalimeve politike dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme. Gazetarët dhe publiku presin përgjigje nga Prokuroria se cili prokuror ka dorëzuar propozimin për lëshimin e këtij urdhër-dënimi dhe përse është ngritur një procedurë e tillë kundër një gazetareje që ka publikuar emrin e një funksionari publik. Deri në momentin e publikimit të këtij teksti, Prokuroria nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

