27 Janar 2026 21:57

Djegia e Kuranit në Gjakovë: reagon Bashkësia Islame

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka dënuar ashpër djegien dhe përdhosjen e Kuranit të Shenjtë në zonën e Çabratit në Gjakovë, duke e cilësuar këtë veprim si një akt vandalizmi, kriminal dhe thellësisht shqetësues. Në një deklaratë publike, Myftiu Tërnava shprehu indinjatën e tij të thellë dhe tronditjen për këtë ngjarje, të cilën e përshkroi si një veprim me mision të qartë kriminal, kryer nga persona ende të paidentifikuar.

Ky akt i papranueshëm, theksoi ai, cenon rëndë vlerat universale humane dhe përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimeve themelore, traditës dhe identitetit të popullit shqiptar. Myftiu kujtoi se kombi shqiptar është identifikuar historikisht për shpirtin e tij të harmonisë, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërfetar, si dhe për respektimin e besimit dhe traditës së tjetrit, veçanërisht në çështjet delikate që lidhen me besimin fetar.Me shqetësim, Myftiu Tërnava vuri në dukje se kohët e fundit këto vlera të shenjta janë bërë shënjestër e atyre që ai i quajti “lëvizje të errëta”.

Këto grupe, nën maskën e një “shqiptarie” të shtrembëruar dhe të një “kthimi në rrënjë” të rremë, po promovojnë urrejtjen, përçarjen dhe dhunën. Ai akuzoi individë dhe grupe të organizuara për përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe thirrjeve për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për cenimin e trashëgimisë dhe kulturës islame. Kjo propagandë e rrezikshme, sipas tij, në disa raste ka gjetur mbështetje edhe nga persona me pozita akademike.Djegia e Kuranit në Gjakovë, e konsideruar nga Myftiu si një akt alarmues, është një pasojë e drejtpërdrejtë e ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat synojnë përçarjen dhe destabilizimin e shoqërisë.

Përfundimisht, Myftiu Tërnava u bëri thirrje organeve kompetente shtetërore që të ndërmarrin veprime të menjëhershme ligjore jo vetëm ndaj autorëve të drejtpërdrejtë të këtij akti, por edhe ndaj ideatorëve dhe nxitësve të urrejtjes. Ai kërkoi gjithashtu nga institucionet që të marrin masa konkrete dhe efektive për ruajtjen e kohezionit shoqëror, harmonisë ndërfetare dhe interesit të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës.