Një në katër të rinj evropianë, konkretisht ata të moshës 15 deri në 29 vjeç, po ndjekin studimet dhe punojnë njëkohësisht.
Të dhënat më të fundit nga EUROSTAT për vitin 2024 zbulojnë se 25.4 për qind e kësaj grupmoshe ishin të punësuar gjatë arsimimit të tyre formal, një dëshmi e ndërthurjes në rritje të shkollimit me tregun e punës. Ky model, ku puna gjatë studimeve konsiderohet si një komponent normal i zhvillimit profesional dhe i pavarësisë financiare, është veçanërisht i theksuar në shumë vende të Bashkimit Evropian.
Përballë këtij realiteti evropian, Maqedonia e Veriut mbetet dukshëm mbrapa. Të dhënat kombëtare tregojnë një pjesëmarrje dukshëm më të ulët të të rinjve në tregun e punës, ku tranzicioni nga arsimi drejt punësimit vazhdon të jetë një prej pikave më nevralgjike të sistemit socio-ekonomik. Sipas raporteve zyrtare dhe ndërkombëtare, vetëm rreth 20 për qind e të rinjve të moshës 15 deri në 24 vjeç janë aktualisht të punësuar. Edhe në grupmoshën më të gjerë, atë 15 deri në 29 vjeç, shkalla e aktivitetit në tregun e punës arrin vetëm rreth 46 deri në 47 për qind, një shifër shumë larg mesatares evropiane. Këto statistika theksojnë se një pjesë e konsiderueshme e të rinjve ose mbetet e përqendruar vetëm në studime, ose përjashtohet plotësisht nga mundësitë e punësimit.
Një tregues veçanërisht shqetësues është përqindja e lartë e të rinjve që nuk janë as në punë, as në arsim dhe as në trajnim (NEETs). Në Maqedoninë e Veriut, kjo normë luhatet nga 20 deri në 24 për qind, një nivel dukshëm më i lartë se mesatarja e BE. Në kontrast, vendet e Evropës Veriore dhe Qendrore, si Holanda, Danimarka dhe Gjermania, demonstrojnë një model krejt tjetër. Atje, të dhënat e EUROSTAT tregojnë se përqindja e të rinjve që punojnë gjatë studimeve varion nga 45 deri në mbi 70 për qind. Në këto shtete, punësimi studentor është i rregulluar me kujdes, mbështetet institucionalisht dhe shpeshherë është i lidhur drejtpërdrejt me fushën e studimit, duke ofruar kështu përvoja të vlefshme profesionale.
Në vendin tonë, puna gjatë studimeve ekziston, por kryesisht në një formë joformale dhe shpeshherë jashtë radarit të statistikave zyrtare. Shumë studentë janë të detyruar të punojnë në sektorë me paga të ulëta, pa kontrata të qëndrueshme pune dhe pa sigurime sociale. Kjo përvojë, më shumë se sa një hap drejt zhvillimit profesional, shndërrohet në një mekanizëm mbijetese, gjë që vështirëson pasqyrimin e saktë të realitetit në shifrat zyrtare. Pabarazitë thellohen më tej edhe nga dimensioni gjinor. Ndërkohë që vajzat janë më të përfaqësuara në arsimin e lartë, ato përballen me shkallë më të ulët punësimi dhe një pasivitet më të lartë krahasuar me djemtë, sidomos pas përfundimit të studimeve, një trend ky që, megjithëse përputhet me gjetjet evropiane, merr përmasa më të theksuara në tregun vendas.
Kështu, ndryshe nga Evropa, ku sfida kryesore qëndron te balancimi mes kërkesave të punës dhe atyre të arsimit, në Maqedoninë e Veriut problematika thelbësore mbetet vetë përfshirja e të rinjve në tregun e punës. Papunësia e lartë e të rinjve, mungesa e punës së rregulluar për studentët dhe numri i madh i të rinjve NEET tregojnë qartë për një sistem që ende nuk ka arritur të ndërtojë ura efektive nga shkolla drejt punësimit të qëndrueshëm dhe cilësor.

