Deklaratat e fundit të Arben Taravarit dhe bashkëpartiakut të tij, Isen Shabanit, lidhur me dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë në Gostivar dhe Vrapçisht, përbëjnë një akt dyfytyrësie flagrante dhe një përpjekje të qartë për të maskuar përgjegjësinë e vërtetë.
Fajtorja kryesore për këtë situatë është Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe kryetari i saj, Ali Ahmeti, të cilët kanë një histori të gjatë të veprimeve që çuan në këtë gjendje. Është e papranueshme të flitet sot për “lista zgjedhore të paazhurnuara” apo për “5-6 mijë të vdekur në lista”, kur pikërisht me këto lista BDI ka fituar zgjedhjet për dy dekada.
Kjo retorikë është një manipulim i qëllimshëm i opinionit publik. Nëse vërtet listat përbëjnë një problem, atëherë përgjegjësia duhet kërkuar te partneri i tyre politik, BDI-ja, e cila kurrë nuk ka shfaqur interesin e duhur për korrigjimin apo pastrimin e tyre. Megjithatë, thelbi i problematikës shtrihet edhe më thellë dhe bart rreziqe serioze për përfaqësimin kombëtar.
Pas regjistrimit të fundit të popullsisë, BDI-ja ndau popullatën në rezidentë dhe jorezidentë, duke neglizhuar numrat realë të shqiptarëve dhe duke anashkaluar qindra mijëra bashkatdhetarë nga diaspora. Ishte pikërisht BDI ajo që propozoi dhe miratoi metodologjinë kontestuese të regjistrimit, e cila cenoi drejtpërdrejt përfaqësimin legjitim të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Sot, Taravari dhe Isen Shabani po shkojnë edhe një hap më tej: pas përjashtimit të diasporës nga procesi real i regjistrimit, ata tani synojnë t’i heqin edhe nga lista e votuesve. Ky është një vazhdimësi e politikave të dëmshme që shkelin interesat kombëtare shqiptare, e paketuar me pretekste të rreme për “pastrim listash”.
Platforma VLEN e bëri të qartë në takimin e fundit të liderëve se diaspora nuk është problem, por zgjidhje. Përjashtimi i saj nga votimi është një goditje ndaj parimeve demokratike dhe vullnetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë. Mosrealizimi i suksesshëm i censusit nuk është një ngjarje e rastësishme. Për dy dekada, BDI, përmes korrupsionit galopant, uzurpimit të institucioneve dhe një politike klanore e hermetike, nxiti largimin masiv të qytetarëve nga vendi.
Tani, të njëjtët aktorë politikë guxojnë me cinizëm ta përdorin emigracionin si justifikim për dështimet e tyre të shumta. Kjo problematikë e thellë dhe e vazhdueshme nuk u shfaq papritur; ajo u krijua me kujdes nga BDI. Ndërsa Arben Taravari dhe shokët e tij e mbrojnë këtë problematikë, ne, si VLEN, jemi të përkushtuar të ndreqim gabimet e tyre dhe të rikthejmë dinjitetin e përfaqësimin e shqiptarëve.

