19 Janar 2026 07:14

Komunikimi ndërpartiak zhbllokon ligje të rëndësishme reformuese

Ligji për Kundërvajtjet pritet të jetë rezultati i parë konkret i klimës pozitive të krijuar në takimin e djeshëm të lidershipit politik.

Pas këtij takimi, disa nga koordinatorët e grupeve parlamentare zhvilluan këtë mëngjes një takim joformal, ku u dakorduan që ky ligj, i cili konsiderohet kyç për projektin e qytetit të sigurt, të sigurojë shumicën prej dy të tretash në votimin e planifikuar për nesër.

Kryetari i Kuvendit konfirmoi se komunikimi ndërmjet partive tashmë ka nisur dhe shprehu pritjen që shumë nga zgjidhjet ligjore të bllokuara deri më tani të kalojnë së shpejti në seancë plenare. Sipas tij, po krijohen kushtet edhe për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një Avokati të ri të Popullit, e cila pritet në një afat të afërt.

Në takimin e djeshëm, liderët politikë u pajtuan gjithashtu se qeveria e Përzhinës duhet të shfuqizohet. Ata lanë të hapur mundësinë që kjo të ndodhë menjëherë, nëse LSDM-ja jep pëlqimin, ndërsa në të kundërtën, zgjedhjet e ardhshme do të jenë të fundit që do të organizohen nga një qeveri teknike.

LSDM-ja, e cila bojkotoi takimin e djeshëm të lidershipit, nuk u ftua as në koordinimin joformal të sotëm. Aktualisht, kjo parti mbetet e vetmja jashtë procesit të bisedimeve ndërmjet grupeve parlamentare dhe, sipas vlerësimeve, me numrin aktual të deputetëve nuk ka kapacitet për të ndikuar apo penguar procesin.

Takimi i thirrur nga kryeministri Hristijan Mickoski u cilësua si konstruktiv nga të gjithë pjesëmarrësit. Përveç Ligjit për Kundërvajtjet, priten marrëveshje edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ndryshime në Kodin zgjedhor, si dhe miratimi i ligjeve të tjera në fushën e gjyqësorit, të cilat janë pjesë e agjendës reformuese dhe kërkojnë shumicë prej dy të tretash ose shumicë Badinter.