Kryeministri Hristijan Mickoski ka thirrur për nesër një takim të liderëve politikë në Klubin e Deputetëve, me qëllim hapjen e dialogut për disa çështje kyçe shtetërore që kërkojnë konsensus të gjerë politik.
Sonte është konfirmuar se në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, duke kompletuar kështu listën e pjesëmarrësve.
Në takim pritet të marrin pjesë përfaqësues të koalicionit qeveritar, përfshirë koalicionin Vlen me Bilall Kasamin dhe koordinatorin e grupit parlamentar Qoku, si dhe partneri më i vogël qeveritar ZNAM, i përfaqësuar nga lideri i saj Maksim Dimitrievski. Nga opozita parlamentare, pjesëmarrjen e ka konfirmuar Levica, ndërsa LSDM ka dërguar një letër zyrtare në të cilën njofton se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri.
Edhe pse ftesa nuk përmban rend dite, Mickoski ka paralajmëruar se në fokus të bisedimeve do të jenë ligjet reformuese në kuadër të integrimit evropian, zgjedhja e Avokatit të Popullit, shfuqizimi i qeverisë teknike dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nuk përjashtohet që në tryezë të hapen edhe ligje që kërkojnë shumicë të kualifikuar, përkatësisht Badinter, si Ligji për Kundërvajtjet, pjesë të sistemit “Qytet i Sigurt” dhe Ligji për Vetëqeverisjen Vendore.
Pjesëmarrja e Ali Ahmetit nga BDI, vlerësohet si kyçe, pasi disa nga zgjidhjet ligjore dhe zgjedhja e zyrtarëve varen drejtpërdrejt nga votat e këtij grupi parlamentar i cili quhet Alenaca Kombetare për Integrim
Nga ana tjetër, LSDM e ka refuzuar ftesën, duke theksuar se ligjet reformuese duhet të debatohen në Kuvend dhe se shfuqizimi i qeverisë teknike nuk do të lejohet. Sipas kësaj partie, kushtet për heqjen e qeverisë teknike nuk janë pjekur dhe një hap i tillë do të përbënte rrezik për procesin demokratik dhe vullnetin e qytetarëve.
Takimi i nesërm shihet si përpjekje e qeverisë për të ndërtuar një dialog politik rreth reformave kyçe dhe çështjeve që kërkojnë stabilitet institucional dhe bashkëpunim ndërpartiak.

