18 Janar 2026 01:04

Nevzat Bejta: Të dielën është momenti që Gostivari të flasë me “NJË ZË“ për numrin 1

Kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ka bërë thirrje për mobilizim të gjerë të qytetarëve në zgjedhjet e së dielës, në mesazhin e tij përmbyllës të fushatës elektorale.

Ai ka falënderuar qytetarët për pritjen dhe mbështetjen, ndërsa ka adresuar kritika të forta ndaj udhëheqjes aktuale për gjendjen, sipas tij, të rënduar të qytetit.

Gjatë takimeve intensive në terren, Bejta tha se ka pasur mundësi të njihet nga afër me shqetësimet reale të banorëve të Gostivarit. Ai theksoi se bisedat me qytetarët në lagje dhe fshatra kanë reflektuar një situatë të vështirë, të karakterizuar nga padrejtësi dhe premtime të parealizuara.

“Ju falënderoj sinqerisht për besimin dhe për fjalën që ma dhatë. Më hapët dyert dhe zemrat tuaja, duke më shpalosur hallet dhe shqetësimet me të cilat përballeni çdo ditë,” deklaroi Bejta.

Në mesazhin e tij, kandidati për kryetar bashkie nuk ka kursyer kritikat ndaj kundërshtarit politik, duke e cilësuar mandatin e kaluar si një periudhë në të cilën Gostivari, sipas tij, është lënë pas dore. Ai akuzoi drejtimin aktual për keqmenaxhim dhe mungesë përgjegjshmërie ndaj qytetarëve, duke shtuar se interesat e “njeriut të thjeshtë” janë lënë në plan të dytë.

Sipas Bejtës, problemet kryesore me të cilat përballet qyteti përfshijnë mungesën e investimeve kapitale, mosdëgjimin e zërit të qytetarëve, si dhe degradimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.

Duke e cilësuar të dielën si një moment vendimtar për të ardhmen e Gostivarit, Bejta u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime.

Të dielën është momenti që Gostivari të flasë me NJË ZË. Ju bëj thirrje të dilni masovikisht në votime dhe ta merrni në dorë fatin e qytetit tuaj. Gostivari meriton ndryshe, meriton punë dhe dinjitet. Të dielën, votoni numrin 1.