18 Janar 2026 00:24

LSDM mbështet Valbon Limanin për kryetar të Gostivarit

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka njoftuar se pas bisedimeve të zhvilluara është arritur një marrëveshje e përbashkët që Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë të mbështesë kandidatin e Aleancës për Shqiptarët në opozitë, Valbon Limani, për kryetar të Komunës së Gostivarit.

Filipçe e bëri të ditur këtë vendim gjatë një takimi me anëtarësinë e LSDM-së në Gostivar, ndërsa lajmi u konfirmua mbrëmjen e sotme edhe nga vetë LSDM-ja në opozitë.

Valbon Limani kishte dalë kandidati më i votuar në zgjedhjet lokale të mbajtura në nëntor në Gostivar, por për shkak se censusi pothuajse nuk u përmbush, procesi zgjedhor do të përsëritet.

“Apeloj për mobilizim sa më të madh të anëtarësisë dhe për mbështetje të plotë për Valbon Limanin”, deklaroi Filipçe, duke theksuar se ky cikël zgjedhor do të shërbejë si një tregues i qartë i disponimit dhe fuqisë së opozitës në Gostivar.

Ai shtoi se LSDM ka shanse reale për t’u bërë pjesë e qeverisjes së ardhshme lokale, me synimin për të ofruar mbështetje konkrete dhe të drejtpërdrejtë për të gjithë qytetarët e Gostivarit.

Duke folur për procesin zgjedhor, Filipçe theksoi se presionet dhe abuzimet gjatë zgjedhjeve mbeten një problem serioz, duke shtuar se pikërisht kjo është një nga arsyet pse LSDM kundërshton shfuqizimin e qeverisë teknike, të njohur si modeli i Przhinos.