Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka vizituar sot Qendrën e Pritjes në Vizbegovë, në prag të Vitit të Ri dhe festave të fundvitit, ku u takua me fëmijët dhe familjet që aktualisht strehohen në këtë qendër.
Sipas ministrit Limani, në qendër jetojnë gjithsej 70 fëmijë romë së bashku me familjet e tyre, prej të cilëve 44 janë në moshë shkollore. Ai theksoi se një nga arritjet më të rëndësishme është fakti që të gjithë fëmijët në moshë shkollore janë tashmë të përfshirë në procesin arsimor, me tekste shkollore, uniforma, vakte ushqimore dhe transport të siguruar.
“Këto nuk janë vetëm shifra, por mbështetje konkrete dhe një dëshmi se shteti qëndron pas këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre”, u shpreh Limani, duke nënvizuar rëndësinë e arsimit dhe kujdesit social për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.
Gjatë vizitës, ministri, së bashku me përfaqësues të fondacionit ADRA, ndau dhurata për fëmijët, të cilat ishin përgatitur nga fëmijë nga vende të ndryshme të botës për fëmijët në Maqedoninë e Veriut.
Limani theksoi se solidariteti, empatia dhe kujdesi për fëmijët, veçanërisht gjatë ditëve festive, janë detyrim institucional dhe njerëzor. Ai shtoi se Ministria do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të garantuar që çdo fëmijë të ketë një fëmijëri të sigurt, qasje në arsim dhe shpresë për të ardhmen.

