Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes për të ardhmen e vendit.
Abdixhiku tha se vota e qytetarëve duhet të jetë për zhvillim, stabilitet dhe orientim euroatlantik të Kosovës.
“Është një ditë e mirë, ditë e mbarë dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se qytetarët duhet të shfrytëzojnë votën për t’u larguar nga, siç u shpreh, zymtësia dhe bllokada që e kanë shoqëruar vendin vitet e fundit.
“Uroj që qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet, për një të ardhme euroatlantike dhe për largim nga zymtësia dhe bllokada që na ka shoqëruar këto vite”, theksoi Abdixhiku.
Në fund, ai u shpreh me mesazh uniteti, duke shtuar: “Le të fitojë populli i Kosovës, ashtu siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”.

