Debati për lidershipin e ri brenda VLEN-it ka hapur një pritshmëri të qartë se koalicioni duhet të udhëhiqet nga parimet e meritokracisë dhe nga pesha reale politike që secili aktor ka sjellë në teren.
Pikërisht aty matet pjekuria e aktorëve politikë dhe përcaktohet nëse një koalicion do të ecë drejt standardeve moderne të qeverisjes apo do të rrëshqasë drejt zakoneve të vjetra të politikës së improvizimeve.
Elektorati shqiptar sot nuk pret thjesht emra dhe poste por ai kërkon një filozofi udhëheqëse. Kërkon dëshmi se pushteti nuk lind nga pazaret por nga rezultati, merita dhe përgjegjësia. Në këtë moment kyç, VLEN-i gjendet para një udhëkryqi që të bëhet modeli i parë meritokratik në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ose të humbasë kapitalin moral që elektorati i dha me shumë besim në zgjedhjet e fundit.
Në këtë kontekst, lëvizja më koherente dhe politike do të ishte që vetë Bilall Kasami të propozojë Izet Mexhitin për kryetar të koalicionit. Ky veprim që do të sinjalizonte pjekuri, modernizim dhe një standard të ri të funksionimit politik në skenën shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
Një vendim i tillë do të demonstronte se VLEN është i gatshëm të ndërtojë hierarkinë e vet mbi kontributin real dhe jo mbi ambiciet e brendshme. Sepse, sipas leximit të votës dhe të dinamikës elektorale, Izet Mexhiti është arkitekti kryesor i fitores së fundit të koalicionit i cili ndërtoi boshtin e Shkupit (Çair, Saraj, Haraçinë), organizoi strukturën e gjerë të koalicionit, artikuloi projektin politik dhe mbajti peshën kryesore të përballjes institucionale. Ta vendosësh atë në krye të VLEN-it nuk është thjesht zgjedhje politike është respektim i një realiteti elektoral të pakontestueshëm. Në anën tjetër, Bilall Kasami mbetet figura më e spikatur në organizim, terren dhe mobilizim. Profili i tij lidhet organikisht me funksionin e sekretarit organizativ roli ku ai jo vetëm do të shfrytëzonte maksimalisht kapacitetet e veta, por edhe do të garantonte konsolidimin strukturor të një koalicioni që synon jetëgjatësi politike.
Por modeli që propozohet duhet të jetë i plotë dhe i orientuar drejt së ardhmes. Për të shmangur logjikën e dominimit dhe për të institucionalizuar drejtësinë e brendshme, VLEN duhet të vendosë qysh tani një mekanizëm të qartë rotacioni për ciklet e ardhshme zgjedhore se kush siguron rezultatin më të fortë elektoral në zgjedhjet pasuese, merr drejtimin e koalicionit. Ky është një model i aplikuar në disa parti dhe koalicione evropiane, i cili zvogëlon tensionet e brendshme, motivon çdo palë të punojë maksimalisht dhe krijon transparencë të plotë për publikun.
Në këtë kuadër, propozimi që Kasami të avancojë Mexhitin për kryetar do të ishte lëvizja më e mençur politike një standard i ri bashkëpunimi që do ta poziciononte VLEN-in si koalicioni i rregullave, e jo i improvizimit. Kjo do t’i dërgonte elektoratit një sinjal të fortë se politika mund të ndërtohet mbi racionalitet, meritë dhe standarde moderne të menaxhimit të pushtetit. Kjo formulë do të krijonte stabilitet, transparencë dhe një kulturë të re politike që prej vitesh i mungon skenës shqiptare. Në fund të ditës, ky debat nuk është thjesht çështje pozicionesh, por çështje filozofie politike. Është çështje besimi: elektorati kërkon që lidershipi të lindë nga rezultati, jo nga pazaret. Dhe nëse VLEN arrin ta materializojë këtë model, atëherë në zgjedhjet e ardhshme koalicioni do të hyjë jo vetëm me struktura më të fuqishme, por edhe me një moral politik të ngritur.
Megjithatë, duhet thënë me sinqeritet se propozimet e fundit për ndarjen e posteve qeveritare tregojnë se VLEN, të paktën për momentin, nuk po ecën sipas amanetit të elektoratit. Ky është alarmi që lidershipi duhet ta dëgjojë para se të humbasë në tavolinë fitorën e madhe që arritën në seciën komunë.
Analiza e javës nga Identiteti.info

