Mënyra se si udhëheqësit shtetërorë në Ballkan reaguan ndaj një veprimi amerikan në Venezuelë ka nxjerrë në pah një divergjencë të qartë në qasjet politike, jo vetëm mes vendeve të rajonit, por edhe brenda hapësirës shqiptare. Ky kontrast thekson diferencat në strategjitë diplomatike dhe në thellësinë e angazhimit politik, veçanërisht në raport me aleatin kyç, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shqipëria, një aleate e zellshme e Uashingtonit në Evropën Juglindore, u pozicionua hapur në mbështetje të SHBA-së. Megjithatë, reagimi erdhi nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, ku Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi se Shqipëria “qëndron pa mëdyshje përkrah Shteteve të Bashkuara” dhe presidentit Donald Trump në veprimin kundër asaj që ajo e quajti “regjimi narko-terrorist i Venezuelës”. Deklarata, e cila gjithashtu vlerësonte “udhëheqjen e fortë” të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, në “përballjen me autoritarizmin, korrupsionin dhe rrjetet kriminale transnacionale”, ishte e drejtpërdrejtë, por mbeti e kufizuar në nivel ministror, duke lënë të kuptohet një qasje institucionale më e kontrolluar.
Në Kosovë, peizazhi politik ishte ndryshe, pasi reagimi u artikulua nga maja e shtetit. Presidentja Vjosa Osmani doli publikisht në mbështetje të operacionit amerikan, duke theksuar se “Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara” dhe Donald Trumpit. Ajo e justifikoi ndërhyrjen duke sjellë si shembull historinë e Kosovës dhe duke e cilësuar regjimin e Nicolas Maduros si “shtet narkotik”. Presidentja Osmani shprehu se “Presidenti Trump qëndroi përkrah popullit të Venezuelës dhe u përball me shtetin narkotik të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelet dhe krimi i organizuar. Kjo është se si duket forca dhe udhëheqja amerikane”. Ajo e lidhi këtë qëndrim me përvojën e Kosovës: “Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane, çlirimi ynë është vetë një dëshmi e saj” shkroi ajo, duke i dhënë mbështetjes një peshë të thellë politike dhe historike.
Dallimi midis deklaratave nga Tirana dhe atyre nga Prishtina ka një diferencë domethënëse që nuk mund të anashkalohet. Në Kosovë, krerët më të lartë të shtetit morën përsipër politikisht mbështetjen për SHBA-në, ndërsa në Shqipëri, kryeministri dhe presidenti zgjodhën heshtjen. Ky reagim iu delegua një niveli më të ulët hierarkik, Ministrisë së Jashtme, duke krijuar përshtypjen e një qëndrimi institucional të kontrolluar, por politikisht të distancuar nga figurat kryesore të pushtetit ekzekutiv, si kryeministri Edi Rama. Heshtja e Ramës bie në sy edhe për faktin se kohët e fundit u shmang, si rrallëherë, dalja e tij në podkastin e përjavshëm “Flasim”, gjë që shtyu kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, të ironizonte duke sugjeruar ndryshimin e emrit të podkastit në “Heshtim”. Kjo mungesë e zërit të lartë lidhet edhe me urimet e mëparshme për festën e pavarësisë, ku mesazhet e Presidentit Trump dhe Sekretarit të Shtetit, Marko Rubio, tingëllonin si paralajmërime dhe përmbanin kërkesa të qarta për të luftuar kartelet dhe bandat e trafikut transnacional të drogës.
Ky kontrast mes Kosovës dhe Shqipërisë bëhet edhe më i dukshëm në panoramën rajonale. Disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu si kryeministri Rama, zgjodhën të ishin më të përmbajtur, duke lëshuar mesazhe përmes ministrive të jashtme. Ndërkohë, të tjerë e shfrytëzuan rastin për të përshëndetur arrestimin e Maduros. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, nuk reagoi personalisht, por ministria e jashtme turke bëri thirrje për qetësi dhe stabilitet, duke theksuar rëndësinë e “paqes dhe mirëqenies së popullit të Venezuelës” dhe duke u kërkuar palëve “të tregojnë përmbajtje”. Krejt i ndryshëm ishte reagimi i Greqisë, ku pas një monitorimi fillestar nga Ministria e Jashtme, kryeministri Kyriakos Mitsotakis shprehu qartë mbështetjen e tij për SHBA-në, duke deklaruar se “Nicolas Maduro kryesoi një diktaturë brutale dhe represive që solli vuajtje të paimagjinueshme për popullin venezuelian. Fundi i regjimit të tij ofron shpresë të re për vendin”. Ndërkaq, Serbia reagoi në nivelin më të lartë politik, por në kahun e kundërt. Presidenti Aleksandër Vuçiç e shfrytëzoi rastin për të artikuluar një kritikë të ashpër ndaj rendit ndërkombëtar, duke deklaruar se “e drejta publike ndërkombëtare nuk ekziston, rendi i OKB-së ekziston në letër” dhe se “bota dominohet nga ligji i forcës dhe ligji i më të fortit”. Ky qëndrim përputhet më shumë me atë të Spanjës dhe të disa vendeve të tjera të Amerikës Latine. Heshtja e kryeministrit Rama duket një përpjekje për të shmangur ekspozimin personal përballë një Donald Trump gjithnjë e më të paparashikueshëm në politikën e jashtme, duke kujtuar një incident të mëparshëm ku Rama u detyrua të kërkonte falje për një batutë të pamenduar lidhur me një gafë të Trumpit që kishte ngatërruar Shqipërinë me Armeninë, një shaka që bëri xhiron e rrjetit X dhe u kthye në lajm ndërkombëtar.

