Prej muajsh, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shfaqur një përballje të thellë me regjimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, e cila është intensifikuar ndjeshëm.
Shenjat e kësaj përplasjeje përfshijnë vendosjen e sanksioneve ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, tërheqjen e dhëndrit të Trump, Jared Kushner, nga projekti i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe përmendjen e qartë dhe kritike të Serbisë në një projektligj të Kongresit Amerikan, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Analisti politik Dejan Bursać vlerëson se këto veprime të fundit të administratës Trump nuk janë raste të izoluara, por kulmi i një kolapsi disa mujor të strategjisë së politikës së jashtme të Aleksandar Vuçiçit.
Sipas tij, regjimi serb, i ekspozuar tashmë si autokratik dhe i korruptuar, ka humbur “fasadën” e tij demokratike dhe besueshmërinë në Perëndim.
Përpara, kur gazeta Informer, një organ mediatik i regjimit të Vuçiçit, vendosi bilborde në Beograd me mesazhin “Urime, Trump, Serb!”, ndoshta nuk e parashikonte kursin e marrëdhënieve të ardhshme me administratën e re të Trumpit.
Vetëm në vitin aktual, Amerika ka vënë sanksione mbi Industrinë e Naftës së Serbisë, ka aplikuar taksa 35 për qind mbi eksportet e mallrave dhe ka ndaluar importin e gomave nga fabrika Linglong për shkak të shfrytëzimit të punëtorëve.
Pak ditë më parë, mbërriti edhe Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, si pjesë e Ligjit më të gjerë të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, ku Serbia përmendet shprehimisht dhe kritikohet ashpër për gjendjen e saj të brendshme.
Këtyre masave u paraprinë sinjale të qarta që nga muaji maj, kur një vizitë e planifikuar e Vuçiçit në Amerikë dështoi. Mediat pro regjimit e prezantuan takimin e supozuar me Trumpin si një triumf diplomatik, por pak orë më vonë raportuan se Vuçiç ishte sëmurë dhe ishte kthyer urgjentisht në Serbi.
Burime diplomatike më vonë konfirmuan se delegacioni serb ishte larguar nga SHBA më herët se sa ishte planifikuar, duke ngritur dyshime për një tentativë të Vuçiçit për të hyrë në një event nën një emër të rremë.
Një tjetër shfaqje e kolapsit ishte projekti i Shtabit të Përgjithshëm, ku dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, kishte planifikuar të ndërtonte një kompleks luksoz. Përpjekjet e mëparshme të regjimit serb për të bërë të mundur këtë projekt ishin të shumta.
Deputetët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) votuan një ligj special që lejonte heqjen e statusit të trashegemisë kulturore nga kjo ndërtesë, si dhe nga objektet përreth. Zyrtarë të lartë të SNS-së u përfshinë në këtë proces, duke bërë që Prokuroria për Krimet e Organizuar të ngrejë padi kundër Ministrit të Kulturës, Nikola Selakoviç, dhe zyrtarëve të tjerë, për abuzim me detyrën dhe falsifikim në lidhje me heqjen e këtij statusi.
Dëshmitë e punonjësve të Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve treguan se Ministri i Financave, Siniša Mali, kishte kërkuar jashtë ligjit heqjen e statusit të trashegemisë kulturore nga kompleksi, pothuajse duke ia dorëzuar atë familjes Trump.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të regjimit, protestat e qytetarëve, studentëve dhe profesionistëve dhanë frytet e tyre. Së fundmi, kompania e Jared Kushnerit njoftoi tërheqjen e saj nga projekti i Shtabit të Përgjithshëm, duke deklaruar se “projekte të rëndësishme duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe me respekt ndaj popullit të Serbisë dhe qytetit të Beogradit, ne tërheqim aplikimin tonë në këtë moment”.
Paralelisht, Dogana dhe Roja Kufitare Amerikane (CBP) lëshoi një Urdhër Për Mbajtjen e Mallrave (WRO) për gomat e automjeteve të prodhuara nga Linglong International Europe D.O.O. Zrenjanin në Serbi, për shkak të provave që tregojnë përdorimin e punës së detyruar në prodhim.
Duke komentuar këto masa të ndërmarra nga administrata Trump ndaj qeverisë së Serbisë, veçanërisht të intensifikuara që nga maji, politikologu Dejan Bursać thekson se marrëdhënia me Amerikën ka arritur kulmin e saj të tensionit.
Ai shprehet se prej muajsh, jemi dëshmitarë të një kolapsi të ngadaltë të pozicionit të politikës së jashtme, të ndërtuar me kujdes nga regjimi i Aleksandar Vuçiçit gjatë 13 viteve. Vuçiç, thotë Bursać, u ka dhënë diçka çdo partneri që ka mbështetur regjimin e tij, qofshin amerikanë, francezë, gjermanë, rusë apo kinezë, duke shfrytëzuar pa skrupuj burimet e vendit dhe duke mbajtur votuesit e tij në errësirë, pa një publik kritik. Situata është komplikuar sepse Aleksandar Vuçiç ka luajtur tepër fort.
Regjimi i tij, me njerëzit që ka, nuk ka kapacitetin të drejtojë një politikë të jashtme të balancuar midis shumë qendrave të pushtetit, sidomos në situata krize. Tashmë, ky regjim është zhveshur, duke u shfaqur si autokratik, represiv, me lidhje problematike me grupe kriminale dhe tepër i korruptuar. Bursać thekson se mangësitë e SNS-së dhe Vuçiçit ishin të njohura edhe më parë, por ishte thelbësore të ruhej “fasada e demokracisë”, e cila tani ka rënë, duke krijuar një problem reputacioni për politikanët perëndimorë.
Ai shton se mbetet për t’u parë drejtimi i Aktit Amerikan për Demokracinë, i cili hap mundësinë për të goditur drejtpërdrejt regjimin, dhe përfundon duke thënë se nuk është i sigurt nëse Aleksandar Vuçiç mund të dalë nga kjo situatë ndërkombëtare në të cilën ka rënë, pasi nuk ka as kapacitet, as perspektivë për të përmirësuar marrëdhëniet.

