Berlini zyrtar ka refuzuar kërkesat e presidentit amerikan Donald Trump për përfshirjen e aleatëve perëndimorë në mbrojtjen e rrugëve detare në Ngushtica e Hormuzit, duke theksuar se ky konflikt nuk lidhet me NATO.
Zëdhënësi i kancelarit gjerman Friedrich Merz deklaroi se Berlini nuk e konsideron këtë përplasje si pjesë të përgjegjësive të aleancës ushtarake perëndimore.
“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Nuk është lufta e NATO-s,” tha ai, duke nënvizuar se Gjermania nuk do të marrë pjesë në operacione në zonë.
Sipas qeverisë gjermane, përfshirja në aktivitete ushtarake në Ngushticën e Hormuzit nuk ka qenë në diskutim as para shpërthimit të konfliktit dhe nuk është në agjendë as tani.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, i cili gjatë një deklarate për media në Bruksel tha se nuk sheh ndonjë rol për vendet e NATO-s në këtë zonë strategjike të Lindjes së Mesme.
Qëndrimi i Berlinit vjen pasi Trump lëshoi paralajmërime ndaj aleancës perëndimore, duke sugjeruar se NATO mund të përballet me një “të ardhme shumë të keqe” nëse aleatët nuk ofrojnë mbështetje më të madhe.
Ndërkohë, qeveria gjermane theksoi se para fillimit të konfliktit si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Izraeli kishin bërë të qartë se ndihma evropiane nuk ishte as e kërkuar dhe as e dëshiruar.
Në ditët e fundit kancelari Merz ka rritur tonin kritik ndaj politikës amerikane, duke kritikuar gjithashtu vendimin e Uashingtonit për lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë dhe duke shprehur pasiguri mbi strategjinë amerikane për përfundimin e konfliktit.
Më vonë gjatë ditës, Merz pritet të zhvillojë një takim në Berlin me kryeministrin e Holandës, Rob Jetten, ku një nga temat kryesore pritet të jetë edhe reagimi i Evropës ndaj kërkesave të presidentit Trump për përfshirje më të madhe në krizën e Gjirit.

