Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i është përgjigjur kritikave të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, duke theksuar se çdo bartës i funksionit publik duhet të merret para së gjithash me institucionin që drejton.
Në një takim informues me gazetarët, Gashi deklaroi se institucionet duhet të respektojnë kompetencat e tyre kushtetuese dhe të shmangin ndërhyrjet në punën e njëra-tjetrës.
“Ne përpiqemi ta kryejmë funksionin tonë sipas Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores së Punës. Të njëjtën gjë ia rekomandoj edhe atij dhe të gjithë bartësve të funksioneve publike – secili duhet të kujdeset për institucionin e vet”, tha Gashi.
Sipas tij, në një shoqëri demokratike kritika mes institucioneve është e pranueshme, por prioritet duhet të mbetet funksionimi korrekt i institucioneve që drejtohen.
“Duhet të kujdesemi më shumë për institucionet që drejtojmë sesa të shikojmë në oborrin e dikujt tjetër”, shtoi ai.
Deklaratat e Gashit vijnë pas kritikave të Kostadinovskit se Kuvendi shpesh injoron vendimet dhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht në rastin e ndryshimeve në Kodin Penal dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike.
Kryetari i Kuvendit nuk u pajtua me këto akuza dhe ironizoi kritikat duke pyetur: “Çfarë do të bëjë ai, a do të vijë të thërrasë një seancë?”
Gashi theksoi se procesi i miratimit të ligjeve nuk varet vetëm nga Kuvendi, pasi shumë projektligje përgatiten nga Qeveria dhe ministritë përkatëse, veçanërisht kur bëhet fjalë për ligje komplekse që kërkojnë ekspertizë specifike.
“Kur Qeveria dorëzon projektligjin, Kuvendi vepron menjëherë. Për ligjet që Gjykata Kushtetuese ka kërkuar të miratohen më shpejt, kemi reaguar me prioritet”, tha ai.
Përplasja mes dy institucioneve u thellua edhe pas deklaratave të pa matura të Kostadinovskit lidhur me projektin “Qyteti i Sigurt”, ku ai kishte thënë se qytetarët nuk kanë nevojë të marrin mesazhe në gjuhën shqipe. Kjo dekleratë e nje udheheqesi të nje istutucioni aq të lartë duket e pa menduar dhe etnikisht e motivuar.
Gashi u bëri thirrje të gjithë bartësve të funksioneve publike të tregojnë kujdes me deklaratat që mund të ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike. Duke i terheqe vretjen Konstandionvskit.
“Marrëdhëniet ndëretnike janë të brishta dhe përbëjnë një nga shtyllat kryesore të stabilitetit të shtetit. Prandaj, duhet të jemi shumë të kujdesshëm me deklaratat tona”, theksoi ai.
Nga ana tjetër, Kostadinovski në një podkast kritikoi ashpër Kuvendin, duke thënë se institucioni ligjvënës shpesh nuk respekton afatet që Gjykata Kushtetuese i vendos për harmonizimin e ligjeve me Kushtetutën.
Sipas tij, për ndryshimet në Kodin Penal Kuvendi kishte një afat prej dhjetë muajsh për të reaguar, por nuk e shfrytëzoi atë.
“Gjykata i ka dhënë Parlamentit disa mundësi për të vepruar, por shpesh afatet kanë kaluar pa ndryshime konkrete në ligje”, tha Kostadinovski.
Debati mes dy institucioneve ka hapur një përplasje të re institucionale, duke rikthyer në fokus raportin mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese në procesin e miratimit dhe harmonizimit të legjislacionit në vend.

